Zyra e Kryeministrit të Kosovës, iu është referuar ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) të cilët po akuzohen nga Dhomat e Specializuara në Hagë, si shqiptarë të akuzuar, shkruan Gazeta Metro.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot ka mbajtur një takim me ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK’së të cilët po akuzohen nga Dhomat e Specializuara në Hagë për krime të luftës dhe po vazhdojnë të mbahen në paraburgim.
Lidhur me takimin virtual që ka zhvilluar Kurti, Qeveria e Kosovës ka dërguar edhe komunikatë për media, ndërsa ajo që bie në sy është fakti se qeveria ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-krerëve të institucioneve të Kosovës iu referohet me një tjetër emër: ‘shqiptarë të akuzuar para Dhomave të Specializuara në Hagë’.
“Kryeministri Kurti sot bashkëbisedoi me të gjithë avokatët dhe bashkë-avokatët e ekipeve mbrojtëse të shqiptarëve të akuzuar para Dhomave të Specializuara në Hagë. Takimi u mbajt online dhe zgjati gati dy orë dhe gjatë tij u diskutuan kërkesat e ekipeve mbrojtëse për Qeverinë e Republikës së Kosovës.”, thuhet saktësisht në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.