Arrestohet personi që goditi këmbësoren në Fushë Kosovë

 

Është arrestuar personi i cili ka goditur një këmbësore gjatë ditës së diel në Fushë Kosovë, e më pas ka ikur nga vendi i ngjarjes

Policia e Kosovës ka njoftuar se është arrestuar personi i cili ka goditur një  këmbësore gjatë ditës së diel në Fushë Kosovë, së cilës i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore, e më pas ka ikur nga vendi i ngjarjes.

njoftimin nga Njësiti i hetimeve të Trafikut Rajonal të Prishtinës, bëhet e ditur se është identifikuar personi dhe automjeti që ka qenë i përfshirë në aksidentin e ndodhur të dielën, në rrugën Prishtinë-Fushë Kosovë, ku  është lënduar rëndë një këmbësore.

Fillimisht nga hetuesit është përcjellje automjeti i dyshuar, derisa ka arritur në një autoservis në Çagllavicë.

May be an image of car and outdoors
Vetura e dëmtuar

Reagimi i shpejtë i hetuesve ka mundësuar arrestimin e personit të dyshuar si dhe konfiskimin e automjetit të tipit Opel Corsa i cili ishte i dëmtuar.

Pas përfundimit të procedurave të nevojshme policore, rasti do të përcillet në koordinim me Prokurorin e shtetit.

Gjatë ditës së diele, një veturë kishte goditur një këmbësore në rrugën Prishtinë-Fushë Kosovë, ndërsa shoferi kishte ikur nga vendi i ngjarjes.

Për RTV Dukagjini rasti ishte konfirmuar nga zëdhënsja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

”Rreth orës 11:00, në rrugën Prishtinë – Fushë Kosovë, ka ndodhur një aksident trafiku, ku është përfshirë një automjet në lëvizje dhe një këmbësore. Si pasojë e aksidentit, lëndime trupore ka pësuar këmbësorja, e cila është dërguar për tretman mjekësor”.