Ambasadori i Kosovës dyshohet të jetë përfshirë në një skandal të madh financiar në Slloveni

Martin Berishaj thuhet të jetë implikuar në një skandal të madh financiar, të cilin e ka zbuluar mediumi slloven, Planet TV.

Ambasadori i Kosovës në Kroaci dyshohet se ka transferuar rreth 600 mijë euro kesh nga xhirollogaria e tij bankare në Mal të Zi për tek politikani slloven, Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë.

Afera e dyshimtë për shpërlarje parash është zbuluar dhe transmetuar nga televizioni Planet TV të enjten. Hulumtimi bazohet në dokumente.

Ambasadori Berishaj thuhet se ka shërbyer si ndërmjetës mes një kompanie serbe dhe politikanit slloven, Robert Golub. Në mes tyre, sipas hulumtimit të televizionit slloven, ndodhen 600 mijë euro të dyshimta.

Televizioni slloven, në kronikën e transmetuar sot, tregon se në xhirollogarinë MB Consulting, e regjistruar në Mal të Zi, nga një kompani serbe, janë derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro, për çdo muaj. Pronari i vetëm i kompanisë MP Consulting, në bazë të dokumentacionit zyrtar, është Martin Berishaj.

Po ashtu ky televizion slloven ka raportuar se një pjesë e dokumentacionit të siguruar tregon se ngjarja në fjalë është shtrirë në vitet 2019 dhe 2020.

“Pagesat janë kryer nga dega për Serbi e GEN (kompani energjetike) te kompania private MB Consulting në Mal të Zi, me të cilën kompani GEN ka marrëveshje për këshillime. Janë realizuar pagesa mujore prej 5 deri në 55 mijë euro në muaj, ose gjithsej mbi gjysmë milioni euro”, raporton media sllovene, përcjell Nacionale.com.

Në të dhënat e regjistrimit të biznesit, MB Consulting, është edhe numri i njëjtë edhe emaili i njëjtë i Berishaj, të cilat ai i ka në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe në faqen e tij të Facebook-ut.

 

“Televizioni Planet ka mësuar se kompania malazeze (ajo ku pronar është Berishaj) është themeluar vetëm 10 ditë përpara se të bëhej pagesa e parë e parave nga kompania GEN e Beogradit”.

Media sllovene tregon që gjëja që e ka tërhequr më së shumti vëmendjen e hetuesve ka qenë fakti që pothuajse 600 mijë euro nga kompania MB Consulting rregullisht janë tërhequr në kesh.

Kush ishte ‘mushka’ që e bëri këtë, pyet televizioni slloven?

“Pronari i MP Consulting dhe i punësuari i vetëm i kësaj kompanie është Martin Berishaj. Ai u ka thënë autoriteteve tatimore në Mal të Zi që arsyeja përse i ka tërhequr parat kesh kishte të bënte me një marrëveshje që ai e kishte me kompaninë e tij”, thotë media sllovene, duke treguar që Berishaj i ka tërhequr rreth 200 mijë euro nga llogaria personale dhe rreth 320 mijë të tjera i ka tërhequr si profit nga llogaria e biznesit.

Burimi i ka treguar televizionit Planet që parat që Berishaj ia ka dërguar politikanit slloven, ky i fundit i ka investuar në një fond italian.

Berishaj njihet si mik shumë i afërt i kryeministrit Kurti. Ai ka qenë ndër të parët që kishte shkuar për të festuar në selinë e LVV-së, pas fitores në zgjedhjet e vitit të kaluar. Një raport i tillë i ishte shpërblyer pa humbur kohë, duke e emëruar ambasador të Kosovës në Kroaci.