Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, nesër do të paraqitet para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Donika Gërvalla, jo siç ndodhte rëndom kur ministrat e jashtëm flisnin për Kosovën, ia ka huqur qysh në start, duke thënë se në mbledhjen e këtij këshilli do të shqyrtohet raporti për UNMIK-un dhe jo raporti për Kosovën.
Temë në këtë takim është raporti për Kosovën për periudhën nëntor 2021 deri në prill 2022, raporton Demokracia.com.
Në njoftimin për media të lëshuar nga ministria e Gërvallës thuhet se Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara do të mblidhet të mërkurën pasdite në New York, për të shqyrtuar raportin e radhës së Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonie Guterres, rreth punës së UNMIK-ut.
“Ajo pritet të flasë rreth progresit të arritur në vend, qasjes së Serbisë dhe rreziqeve që i kanosen rajonit pas agresionit ushtarak të Federatës Ruse në Ukrainë. Në këtë takim do të marrë pjesë edhe Republika e Shqipërisë, e cila që nga janari i këtij viti është zgjedhur për herë të parë anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, për periudhën kohore 2022-2023.”, thuhet në njoftim.