Kombëtarja e Kosovës U17 (meshkujt), ka arritur në Siena të Italisë dhe është akomoduar në Hotel “Sheraton”, ku do të marrë pjesë në rrethin elitë të grupit të gjashtë për kualifikimet e Kampionatit evropian 2022, që mbahet në Izrael prej 16 majit deri më 1 qershor. Dardanët e rinj mbajtën seancën e parë stërvitore para ndeshjes me Ukrainën, që zhvillohet më 20 prill në orën 12:00.
Përzgjedhësi Arsim Abazi dhe shtabi teknik provuan të gjitha taktikat dhe situatat e mundshme që nga mbrojtja, sulmi kundërsulmet e deri të gjuajtjet e lira dhe nga këndi, në mënyrë që të shënojnë rezultat pozitiv në ndeshjen të parë të këtij rrethi. Të kujtojmë se Kombëtarja jonë U17, më 23 prill ballafaqohet me mikpritësin Italinë dhe në ndeshjen e fundit më 26 prill takohet me Poloninë.