Profesor Pllana: Absurde, as 23 vjet nga përfundimi i luftës shteti ynë nuk bëri një dokumentar për komandantin legjendar Adem Jashari

 

Autori i librit “Terrori i Serbisë Pushtuese mbi shqiptarët 1844 – 1999”, profesori Nusret Pllana, ka thënë se është absurde se si edhe 23 vite pas përfundimit të luftës në Kosovë ende nuk është bërë asnjë film dokumentar, apo dokumentar-artistik për komandantin legjendar Adem Jashari.

Pllana tha se “bota e di se komandanti Adem Jashari është një luftëtar, një hero sui generis në historinë botërore”.

“Nuk njihet në historinë botërore një rezistencë e tillë, që një njeri, një familje të viktimizohet. Të vritet vet i 59-ti komandanti legjendar dhe sot e 23 vite të mos bëhet asnjë film dokumentar, ose dokumentar-artistik. Është dashtë shumë të bëhen, sepse Serbia fashiste jep miliona për të bërë filma dhe për të improvizuar krime, gjoja se ne i kemi vrarë serbët. Kanë bërë film dokumentar edhe për masakrën e Reçakut… Ne shqiptarët vazhdojmë ende të flejmë”, ka thënë Pllana, në ATV.

Ai akuzoi Akademinë e Arteve dhe Shkencave të Kosovës dhe atë të Shqipërisë, duke thënë se tash e 23 vjet asnjë rresht nuk e kanë shkruar për gjenocidin serb mbi shqiptarët.

“Kjo është një papërgjegjësi absolute historike e tyre. Marrin rroga të majme dhe nuk kanë bërë asgjë. Papërgjegjësinë tonë nuk mund t’ia hedhim askujt”, tha ai.

Pllana thotë se libri i tij “Terrori i Serbisë Pushtuese mbi shqiptarët 1844 – 1999”ka depërtuar nëpër biblioteka të njohura botërore, kurse ky libër nuk është futur në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Pllana thotë se gjatë luftës së fundit në Kosovë janë vrarë 1382 fëmijë dhe rrallë kush dhe hiq nuk përmenden.

“Ende një obelisk, një shtatore nuk ua kemi ngrit si shtet. Do të thotë na ka mallkue gjaku i fëmijëve tanë. Nuk po na lë të ecim përpara, sepse e kemi shkelur me dy këmbët. Vetëm në periudhën 1981-1999 Serbia pushtuese na i ka vra 40 fëmijë dhe askund nuk përmenden”, tha ai.