Zgjedhjet presidenciale në Francë Macron shkon në balotazh me Le Pen

Emmanuel Macron dhe Marine le Pen do të përballen në balotazh për të fituar postin e presidentit të Francës. Në raundin e parë të zgjedhjeve, të mbyllur të dielën në mbrëmje, rezultatet paraprake nxorën fitues presidentin në detyrë me 28,1% të votave, ndërsa kundërshtarja e tij mori 23,3%.

Në vend të tretë u rendit një kandidat i ekstremit të majtë, Jean-Luc Mélenchon, i cili arriti të mblidhte rreth 20% të votave.

Macron mbetet gjithsesi favorit për të fituar në balotazh dhe duket do të thyejë “mallkimin” 20-vjeçar të skenës politike franceze dhe për të arritur të rizgjidhet, diçka që nuk kishte ndodhur as me Nicolas Sarkozy dhe as me François Hollande. Presidenti i fundit që u rizgjodh ishte Jacques Chirac në vitin 2002, pas një referendumi për të reduktuar mandatin e presidentit francez nga shtatë në pesë vjet.

Në garë morën pjesë 12 kandidatë, por duke qenë se asnjëri nuk mori më shumë se 50% të votave, dy kandidatët me më tepër vota do të përballen tashmë në balotazh, më 24 prill. Ky rezultat ishte i parashikueshëm, pasi asnjë kandidat nuk ka fituar kurrë më parë që në raundin e parë, me këtë sistem zgjedhjeje.