Kryetari i ri i Shtimes, Qemajl Aliu, që nga ardhja e tij në krye të komunës nuk po i ndalë largimet nga puna.
Pasi e “çliroi” qytetin e Shtimes, ai ka nisur largimet masive nga puna duke mos i kursyer as familjarët e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shkruan Demokracia.com.
Aliu kësaj here ka larguar nga puna 9 punëtorë të Qendrës për Punë Sociale, dy prej të cilëve familjarë të dëshmorëve të UÇK-së që punonin në një projekt të Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, i cili në kohën e ish-kryetarit Naim Ismajli ofronte shërbime për personat pa përkujdesje familjare.
Për ofrimin e këtyre shërbimeve shëndetësore dhe sociale, kjo drejtori kishte kontraktuar OJQ-në “Caritas Kosova”.
Lidhur me largimin nga puna ka folur edhe njëri nga personat e larguar nga Aliu. Ai për Demokracia.com ka thënë se nga viti 2015 deri në vitin 2021 është angazhuar nga “Caritas Kosova”.
“Nga vitit 2015 jam angazhuar nga “Caritas Kosova” deri në vitin 2021 për kryerjen e shërbimeve sociale dhe mbajtjen e higjienës në shtëpitë e personave që jetojnë pa përkujdesje. Unë nuk e di arsyen pse është shkëputur kontrata, që 3 muaj nuk kemi asnjë përgjigje nga komuna”, ka thënë ai, duke mos dashur t’i bëhet i ditur identiteti nga Demokracia.com.
Disa familjarë të dëshmorëve që ishin angazhuar në kuadër të projektit të “Caritas Kosova” kishin lidhur marrëdhënie pune në mandatin e kaluar kur Shtimja udhëhiqej nga Naim Ismajli.
Personat e punësuar në këtë projekt parashihej të kryenin shërbime shëndetësore shtëpiake dhe shërbime sociale për personat në nevojë në komunën e Shtimes.
Demokracia.com ka kontaktuar me Isë Haxhiun, drejtor në Drejtorinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunë e Shtimes, për mosarsyetim të largimit nga puna që kishte kjo drejtori me këtë organizatë joqeveritare.
Haxhiu nuk ka dashur të japë më shumë detaje rreth kësaj ngjarje. Demokracia.com ka kontaktuar edhe me udhëheqësin e sektorit shëndetësor të organizatës “Caritas Kosova”, Pal Baftijaj.
Ai ia ka lënë fajin Komunës së Shtimes për mosvazhdimin e kontratës së Kadishe Ramadani-Murtezi.
“Fajin e ka komuna. Edhe pse Kadishe Ramadani-Murtezi kishte ofruar shërbim shumë të mirë, por me ardhjen e pushtetit të ri është konstatuar se komuna nuk ka nevojë më për këtë punëtore”, ka thënë Baftijaj.