Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka folur për vizitën e saj në Hagë, ku u takua me disa prej të akuzuarëve në Gjykatën Speciale, por jo edhe me ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli, ka thënë se takimet me dy të fundit nuk kanë ndodhur pasi nuk ka pasur vullnet nga ana e tyre.
“Në vizitën tonë kemi takuar Komisionin ndërkombëtar për persona të pagjetur, po ashtu kemi takuar pesë nga personat që po mbahen në paraburgim, Hysni Gucatin, Rexhep Selimin, Pjeter Shalën ,Jakup Krasniqin dhe Nasim Haradinajn. Jam takuar me kryetaren e Gjykatës, Ekaterina Trendafilova dhe me ambasadorin holandez për organizatat humanitare, si dhe me avokatin e popullit”, ka theksuar Haxhiu.
Ministrja tregoi se gjatë këtyre takimeve është njoftuar në raport me kërkesat dhe shqetësimet që mund të kenë ata.
“Me rëndësi ata janë mirë me shëndet, po qëndrojnë të fortë dhe çështjet që janë serioze i kemi ngritur në instancat tjera. Parim kryesor, ndërkombëtar dhe i aplikueshëm e që njihet në kushtetuesen tonë është gjykimi i drejtë në kohë të arsyeshme dhe se disa prej tyre po mbahen afër dy vjet në paraburgim dhe nuk ka ende seancë gjyqësore. Natyrisht që kjo përbën shqetësim, sepse nuk është e lehtë dhe nuk është standard i drejtë në qoftë se dikush mbetet në paraburgim përderisa ka nisur seanca gjyqësore”, tha Haxhiu për RTK.
Haxhiu tha se gjatë vizitës ka ngritur edhe çështjen e vizave të familjarëve, të cilët fatkeqësisht duhet të aplikojnë çdo muaj për t’u pajisur me viza dhe të merren me procedurat burokratike.