Përvjetori i Masakrës së Rezallës bënë bashkë Glauk Konjufcën e Sami Lushtakun

Me një manifestim të organizuar nga Komuna e Skenderajt, sot është shënuar 23 vjetori i Masakrës së Rezallës, në të cilën më 5 prill të vitit 1999, u vranë dhe u masakruan 98 bashkëqytetarë.
Delagacioni i Komunës, i udhëhequr nga kryetari Fadil Nura, nënkryetari Sami Lushtaku, Vlora Çitaku, deputetë të Parlamentit të Republikës së Kosovë, bashkëluftëtarë të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës, familjarë, përfaqësues të Shoqatave të dala nga lufta, dhe zyrtarë e përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale, kanë bërë homazhe te lapidari në nderim të dëshmorëve dhe martirëve të Rezallës, Marinës dhe fshatrave tjera. Homazheve iu bashkua edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Kryetari i Komunës, Fadil Nura, në fjalimin e tij, ka thënë se Masakra e Rezallës dhe të tjerat kudo që kanë ndodhur në Skenderaj e Kosovë, janë kujtimi ynë i dhembshëm, njëkohësisht dhe lavdia e luftës heroike çlirimtare të Kosovës.
“98 bashkëqytetarë tanë, pleq, burra e djem të rinj, u vranë dhe u masakruan më 5 prill të vitit 1999. Sot, në 23 vjetorin e ngjarjes, i kujtojmë me krenari dhe mall të gjithë të vrarët!
Pajtim nuk mund të ketë derisa kriminelet të japin llogari për krimet e tyre në Rezallë!
Kriminelët kanë emër e mbiemër!
Përgjegjësia duhet të bie mbi secilin që ka dhënë urdhër. Edhe mbi Lubisha Dikoviç, mbi eprorët dhe vartësit e tij, të cilët kanë kryer këtë masakër çnjerëzore!
Lavdi të gjithë të rënëve në Masakrën e Rezallës!”, ka thënë kryetari Nura.
Në emër të familjeve të dëshmorëve të Kosovës, ka fol Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, ndërsa historikun e masakrës së Rezallës e paraqiti mësimdhënësi i historisë, Arben Zabeli.