Ngritet aktakuzë ndaj ministres Arbërie Nagavci, ja përse

Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit, Shkencës,Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), së shpejti pritet të dalë para gjykatës.

Kjo pasi, Nagavci akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Nagavci po akuzohet se më 21 mars të 2018-ës, gjatë mbajtjes së seancës në Kuvendin e Kosovës në të cilën ishte hedhur gaz lotsjellës, gjatë kontrollimit nga policia, asaj i ishte gjetur një sprej ngjyrë e gjelbër me pjesë spërkatëse të zezë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktakuza e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, rezulton të jetë ushtruar në gjykatë më 30 korrik 2019.

Aktakuza thotë se më 21 mars 2018, e pandehura Nagavci në mënyrë të paautorizuar dhe në kundërshtim me ligjin mbi armët ka mbajtur në posedim sprejin me ngjyrë të gjelbër, me pjesë spërkatëse të zezë me mbishkrimin “NATO American Style”.

Tutje, në aktakuzë thuhet se deri sa gjatë mbajtës se seancave në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës ku ka pasur hudhje të gazit lotsjellës nga disa deputetë, policia për të parandaluar hudhjen e serishme të gazit ka kontrolluar në mënyrë fizike nëpër trup gjithë deputetët.

E gjatë kontrollit trupor të të pandehurës Nagavci, akti akuzues thotë se asaj i është gjetur dhe sekuestruar spreji i lartcekur.

Kjo vepër është e dënueshme me gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose me burgim deri në pesë vjet.

Theksojmë se për të njëjtën çështje, akuzohen edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe tre deputetët nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosjes, Drita Millaku, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli-Dalipi.

Ata akuzohen se në mars të 2018-ës kishin ndezur gaz lotsjellës, me ç ‘rast kishin pamundësuar mbajtjen e seancës plenare në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, e cila rezulton të jetë ngritur më 29 korrik 2019, Sveçla, Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi po akuzohen se më 21 mars 2018, rreth orës 12:10 e deri në orën 15:40, kanë ndezur disa bombola të gazit lotsjellës, të cilat i kishin hedhur brenda sallës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku po mbahej seanca plenare.