Prekëse, logo e BE-së në mbajtësen e çelësave të një viktime civile në Ukrainë

19:20 | 3 Prill 2022 Një foto shumë e dhimbshme po qarkullon në internet ku shihet dora e një gruaje e cila është vrarë në qytetin Irpin të Ukrainës.

Ky qytet ka kohë që po qëndron ndaj sulmeve të njëpasnjëshme të agresorit rus.

Viktima, që është një civile banore e këtij qyteti, ka pasur në dorë çelësat dhe në to shihej edhe logo e BE-së.

“Çmimi i lirisë. Trupi i një gruaje të re në Irpin, e cila pagoi çmimin përfundimtar për dëshirën e Ukrainës për të qenë Europiane”, shkruan personi që e ka shpërndarë këtë foto.

Sot përndryshe kanë dalë në pah edhe barbaritë që janë kryer nga trupat e Putinit në Bucha ku janë masakruar një numër i madh i civilëve, që ka shkaktuar edhe reagime ndërkombëtare për shkelje flagrante të të drejtave të njeriut.

Rusia ka sulmuar caqe të ndryshme civile prej fillimit të agresionit ndaj Ukrainës.