Drenica fiton me rezultat tenistik kundër djelmoshave të Feronikelit

Drenica ka shënuar fitoren më të thellë në histori të derbit drenicas.

Drenica mposhti 6-0 Feronikelin, skuadër e cila po luan me lojtarët e rinj për shkak të problemeve financiare.

Në pjesën e parë kuqezinjët shënuan dy gola me anë të Mëziut në minutën 12′ dhe Ukën në minutën 19′.

Në pjesën e dytë të besuarit e Tahir Lushtakut shënuan edhe katër gola të tjerë.

Erdin Dushi realizoi golin e tretë për Drenicën në minutën 65′, e më pas ishte radha e Kreshnik Ukës për të kompletuar hat-trick-un e tij të dytë sezonal.

Sulmuesi anësor realizoi në minutat 76′ dhe 88′ dhe tashmë prin i vetëm në listën e golashënuesve me 18 gola të realizuara, dy më shumë se Progni i Gjilanit.

Golin e fundit në ndeshje e shënoi Bleon Sekiraqa në minutën e 3-të shtesë.

Pas kësaj fitoreje Drenica ndodhet e 6-ta në tabelë me 35 pikë, kurse Feronikeli mbetet e fundit me 12 pikë.