Shefqet Krasniqi: Zoti nuk ka nevojë për agjërimin tonë, ne kemi nevojë për të

Ish-imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi, në prag të muajit të shenjtë të Ramazanit ka folur rreth dobive të agjërimit.

“Ramazani është sprovë, por jo fortë e mundimshme, është testim. Të mirat e Ramazanit janë të larmishme njësoj si dobitë e tij nuk mund t’i mohojë asnjë njeri në këtë dynja – myslimanë dhe jomyslimanë”.

Hoxhë Shefqet Krasniqi, në “Sytë 7”, tha se Zoti nuk ka nevojë për agjërimin tonë – por ne për të, kjo si alternativa më e mirë që të na afrojë me Zotin e madhëruar.

“Ramazani është një dhunti e madhe e Zotit për robërit e tij, është një dhuratë e madhe dhe shumë specifike. Myslimani duhet ta ketë parasysh dhe shumë të qartë se Zoti nuk ka nevojë për agjërimin tonë sikurse nuk ka nevojë për namazin tonë dhe devotshmërinë tonë në përgjithësi. Por, ne kemi nevojë për të”.

“Zoti na ka ofruar alternativën më të mirë që robi nëpërmjet agjërimit të afrohet shumë tek i madhi Zot. Afrimi tek Zoti është qëllimi final dhe esencial se pse është krijuar njeriu. Njeriu është krijuar që të adhuroj Zotin dhe nuk është krijuar që të mbizotërojë e sundojë këtë dynja” thotë Hoxhë Krasniqi.