Specialja konfirmon se vizita e ministres Haxhiu nuk është zyrtare

Vizita në Dhomat e Specializuara në Hagë e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, tek ish-krerët e UÇK-së, të paraburgosur, cilësohet të jetë personale, por jo zyrtare.

Kështu është konfirmuar nga ky institucion, për Klankosova, ku në një përgjigje elektronike, thuhet se ka rregullore mbi këtë çështje, e që përcakton dy lloje vizitash për ish-krerët e UÇK-së.

“Si çështje e përgjithshme, Udhëzimi i Praktikës mbi Vizitat dhe Komunikimet bën dallimin ndërmjet vizitave personale dhe vizitave speciale’’.
Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara në Hagë, Michael Doyle, ka sqaruar përmes një udhëzimi, se kush i takon njërës apo tjetrës kategori.

“Vizitat speciale përfshijnë ato nga Ombudspersoni i Dhomave të Specializuara dhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, si dhe vizitat konsullore, vizitat e një gjyqtari të KSK-së, sekretarit ose anëtarëve të stafit që veprojnë në emër të tyre’’.

“Për sa i përket procedurës se si kërkohet vizita e një ose më shumë të paraburgosurve, të gjitha vizitat e tjera trajtohen si “vizita personale”.

Klankosova është interesuar të dijë nëse ka pasur kërkesë për vizitë në Hagë, edhe nga zyrtarë të tjerë shtetërorë të Kosovës.
Lidhur me këtë nga Dhomat e Specializuara thanë se për shkak të privatësisë nuk i bëjnë të ditur emrat, megjithatë pranojnë se nuk ka numër të kufizuar të atyre që duan të parashtrojnë kërkesë për vizitë tek ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu udhëtoi të martën në Hagë, për në Dhomat e Specializuara, të cilën e shoqëruan edhe nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi si dhe deputeti Erxhan Galushi.

Haxhiu kishte planifikuar të takonte të gjithë ish-krerët e UÇK-së të cilët po mbahen në masë paraburgimi, megjithatë dy prej tyre, ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentari Kadri Veseli nuk i janë përgjigjur fare kërkesës së ministres, lidhur me këtë vizitë.

Kjo për dallim nga Hysni Gucati, Pjetër Shala, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe Nasim Haradinaj, me të cilët ajo dhe stafi i saj i udhëtimit, janë takuar.
Ndërkohë këtë takim me të paraburgosurit në Hagë, kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi e cilësoi si vizitë institucionale.