Osmani: Albright na dha shpresë, kur nuk e kishim atë

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe Medeleine Albright

Presidentja Vjosa Osmani ka shkruar pas vdekjes së ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright.

Osmani ka kujtuar Albright si një person që ka ngritur zërin për popullin e Kosovës në kohët më të vështira të vendit.

“E tronditur thellësisht nga humbja e mikes së madhe të Kosovës, Madeleine Albright, ish-sekretare e Shtetit të SHBA-ve. Ajo na dha shpresë, kur nuk e kishim atë, u bë zëri ynë e krahu ynë kur nuk kishim as zë e as krah”, ka shkruar Osmani në një postim në “Facebook”.

Medeleine Albright gjatë vizitës në Kosovë në vitin 2019-të

“E njohu dhimbjen e popullit tonë sepse edhe vetë e kishte përjetuar persekutimin qysh në fëmijëri, prandaj qëndroi e vendosur kundër Millosheviqit deri në ndaljen e gjenocidit të tij në Kosovë”, ka shkruar tutje presidentja.

Osmani tha se Albright e ka përkrahur pareshtur Kosovën deri në frymën e saj të fundit.

“E përkrahi pareshtur Kosovën deri në frymën e fundit, prandaj populli i Kosovës do ta kujtojë përjetësisht”, përfundoi Osmani.