Kosova e gatshme për miqësoren kundër Burkina Fasos

Kombëtarja e Kosovës është e gatshme për miqësoren me Burkina Fason, e cila zhvillohet, të enjten, në orën 18:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

“Dardanët”, të mërkurën, e kanë zhvilluar seancën e tretë dhe të fundit para kësaj ndeshjeje, ku u punua me dinamizëm dhe në detaje taktike.

Atmosfera në ekip është mjaft e mirë dhe të gjithë presin që ta nisin vitin me këmbë të mbarë.

Nga afër stërvitjen e ndoqi edhe Arbër Zeneli, i cili mungon për shkak të lëndimit në këto dy miqësore, por që ka zgjedhur të jetë afër bashkëlojtarëve për t’i mbështetur moralisht.

Para stërvitjes në konferencë për media janë paraqitur përzgjedhësi Alain Giresse dhe kapiteni Amir Rrahmani.

Giresse ka thënë se entuziazmi tek futbollistët para duelit me Burkina Fason është i madh.

“Ajo çfarë kam mësuar më së shumti në këto ditë nga futbollistët është entuziazmi, dëshira dhe vullneti për të luajtur dhe kjo është shumë e rëndësishme. Kam arritur të vërtetoj se ajo që kam parë në video, teknika e lojtarëve është edhe në realitet. Këto janë disa nga elementet që i kam vlerësuar, por ka edhe pika që mund të përmirësohemi, të jemi më të mirë dhe më efikas. Mbetet punë për t’u bërë, sidomos në rastet kur e kemi posedimin e topit, por edhe puna pa top”, është shprehur Giresse.

Ai ka thënë se do të mundohen ta aplikojnë lojën e tyre, por shumçëka do të varet edhe nga loja e kundërshtarit dhe përshtatja me lojën e tyre.

Ndërkaq, kapiteni i ekipit ka thënë se duke pasur parasysh formën e mirë të bashkëlojtarëve pret paraqitje të mirë në të dy miqësoret.

“Jemi përgatitur për të treguar atë që kërkon trajneri për ndeshjen me Burkina Fason. Po ashtu, edhe me Zvicrën, pasi janë ndeshje që na shërbejnë të përgatitemi për Ligën e Kombeve në qershor. Do të jenë dy ndeshje të rëndësishme, pasi do të mund të perfeksionohemi sa më mirë për ndeshjet e qershorit. Pas ndeshjes me Burkina Fason, do të shohim se si kemi luajtur dhe ku mund të përmirësohemi”, ka theksuar Rrahmani, i cili trajnerin e ri e ka vlerësuar si person shumë pozitiv.