Instituti i Psikiatrisë Forenzike: Nuk kemi vend për Vali Corleonen

Vali Corleone

Gjykata Themelore në Gjilan ka njoftuar se e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditë të pandehurit Princ Valentino Corleone.

Sipas kësaj mase ai duhet të mbahet në Institutin e Psikiatrisë Forenzike në Prishtinë, me qëllim të ekzaminimit dhe observimit.

Ndërsa në anën tjetër, nga Instituti i Psikiatrisë Forenzike thonë se nuk kanë vende të lira.

Instituti për SHQIP.com tha se duhet të pritet disa ditë deri të lirohet ndonjë vend.

“Jo nuk e kemi pranu, nuk ka ardhur as urdhëresa, as nuk ka ardhur pacienti. Edhe me ardhë momentalisht nuk kemi vend, duhet me pritë disa ditë deri të i bëhet vendi”, kanë thënë nga kjo klinike.

Ndryshe, Policia e Kosovës ka arrestuar të hënën Valentiono Corleone pasi i njëjti u denoncua nga babai i tij për dhunë në familje.

Me vendim të prokurorit ai u ndalua për 48 orë.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që  i njëjti ka kanosur babain e tij viktimën mashkull kosovar.  I dyshuari në vazhdimësi  shkakton dhunë në familje duke i kanosë prindërit e tij dhe të njëjtit ndihen të rrezikuar prej tij .Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Ai ishte arrestuar edhe më parë për dhunë në familje pasi kishte kanosur prindërit.