Finalizohet trajnimi mes forcave speciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe atyre të Kosovës

Është finalizuar trajnimi në mes të forcave special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe atyre të Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, tha se përmes këtij trajnimi forcat speciale të Kosovës kanë arritur të zgjerojnë njohuritë e tyre.

“Pata nderin e veçantë që të marr pjesë në ceremoninë e finalizimit të suksesshëm të trajnimit mes Forcave Speciale Amerikane dhe Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës. Përmes këtij trajnimi, zyrtarët e Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës kanë arritur të zgjerojnë njohuritë e tyre e të fitojnë shkathtësi të reja operimi”.

Sveçla tha se kjo është si rezultat i bashkëpunimit të mirë mes dy vendeve.
“Përkushtimi i Forcave Speciale Amerikane për të ndarë njohuritë e tyre me ne, përveç që është rezultat i bashkëpunimit të mirë mes shteteve tona, dëshmon gatishmërinë për të na ndihmuar në ngritjen e kapaciteteve tona”.

“Gjej rastin që edhe publikisht të falënderoj zyrtarët e Forcave Speciale Amerikane për njohuritë e ofruara dhe zyrtarët e Njësisë Speciale Intervenuese për vullnetin”.