A do të rriten pensionet e veteranëve? Qeveria drafton ligjin për UÇK-në

Ka ditë që është paralajmëruar rritja e pagës minimale në Kosovë, por e njëjta gjë nuk do të ndodhë edhe për pagat e kategorive të luftës, konkretisht për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Propozimin për plotësim-ndryshimin e ligjit për veteranët dhe ligjit për të verbrit dhe paraplegjikët e tetraplegjikët e ka bërë vetë institucioni që menaxhon financat e shtetit.

Ndërkohë, ligji aktual parasheh që pensionet e veteranëve të UÇK-së të mos jenë nën pagën minimale.

Sipas Projektligjit të Ministrisë së Financave është paraparë që lartësia e pensionit të veteranëve të rregullohet me ligj të veçantë.

“Deri në kategorizimin e listës së Veteranit Luftëtarë të UÇK-së, Qeveria e Republikës së Kosovës, me propozimin e Ministrisë së Financave, vendosë për lartësinë e shumës së pensioneve të përcaktuara me këtë ligj, varësisht nga mundësitë buxhetore, kostoja e jetesës dhe inflacioni eventual”, thuhet në njoftimin e MF-së.

Përfaqësuesit e OVL UÇK-së kanë thënë për RTV Dukagjinin se kanë kërkuar takim me kryeministrin për këtë çështje dhe deri në takimin më të nuk do të bëjnë komente për këtë temë.

“Ministria e Financave nuk ka pasur konsultime me ne për këtë temë”, deklaroi Daut Tishaku nga Shoqata e të Verbërve.

Edhe Fatmir Maliqi nga Shoqata Handikos thotë se nuk janë njoftuar për këtë çështje, derisa ai ka shprehur pakënaqësi për mënyrën se si do të paguhen paraplegjikët.

“Nëse ndryshohen këto ligji, cila do të jetë shumë që do të marrin këta persona. A do të jetë sa është paga minimale apo si”, deklaroi Maliqi.