VV-ja kundër tërheqjes së parave nga Trusti

Lëvizja Vetëvendosje ka hedhur poshtë iniciativën ligjore të opozitës për ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale.

Në pyetjen se a do ta mbështesin propozimin e PDK-së për tërheqjen e 30% të Trustit, si ndihmë ekonomike ndaj qytetarëve, shefja e GP të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka qenë e prerë duke thënë se nuk do ta përkrahin një nismë të tillë.

Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, në një konferencë për media pas mbledhjes së kryesisë, tha se do të diskutojnë për modalitete tjera.

“Jo nuk e ka mbështetjen tonë dhe nuk do ta ketë. Vetë koncepti i Trustit ka të bëjë me ruajtjen e një mirëqenie të qytetarëve pas moshës 65-vjeçare, kur ata përfundojnë kontributin e tyre për fondin pensional”, tha ajo.

“Ne do të diskutojmë modalitete tjera. Kemi pasur një pako enorme të ndihmës të rimëkëmbjes ekonomike, nga qershori i kaluar, dhe këtë vit janë shtuar, siç është rasti në mbështetjen e fëmijëve, lehonave. Ballafaqohemi me një ekonomi që është shumë fragjile. Fokusi mbetet në mbështetjen e ndërmarrjeve prodhuese”, u shpreh Kusari-Lila.

PDK-ja propozoi një pako ekonomike për ndihmë ndaj qytetarëve për përballimin e inflacionit në vend.