Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se mjekët e larguar po ikin nga veni për punë e jetë të dinjitetshme.
Zemaj e ka fajësuar edhe Qeverinë për mos mbështetje ndaj mjekëve.
“Diku 48 mjekë vetëm muajt e fundit janë larguar nga Kosova. Ata po ikin, por për shkak të kushteve dhe mospërkrahjes nga Qeveria”, tha Zemaj.
Kryetari i Odës së Mjekëve në Kosovë, Pleurat Sejdiu, ka thënë se brenda 10 vjetëve spitalet do të fillojnë të mbyllen.
“Brengosëse nuk është vetëm numri sepse mbi 20 mjekë janë larguar vetëm gjatë këtij muaji. Numri i tyre që presin largimin është shumë më i madh. Mbi gjysma e tyre janë në specializime dhe nuk janë të kënaqur me atë çka ofron shteti për shkollimin e tyre”, tha ai.
Sejdiu ndër të tjera ka thënë se për dhjetë vjet pritet pensionimi i një mijë e 300 mjekëve
“Ne kemi një sistem që nuk ofron kushte të mjaftueshme për punën e mirëfilltë të mjekëve dhe sigurinë në punën e tyre”, tha Sejdiu.
Nga ana tjetër, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, ka thënë se mungesa e pagave meritore ka bërë që të ketë numër kaq të madh të mjekëve që po e lëshojnë Kosovën.
“Ka migrime, por njëra prej arsyeve themelore janë pagat e ulëta. Nisur nga kjo dukuri po na ikën cilësitë më të mira nga Kosova”, ka thënë Dreshaj.
Deputeti Zemaj i ka bërë thirrje Qeverisë dhe ministrisë së Shëndetësisë që sa më shpejt ta sjellin Ligjin e pagave për miratim në Kuvend, ndryshe si deputet do të marrin iniciativa ligjore.
“Në kërkojmë zgjidhje për të qenë korrekt me pagën meritore ata të cilët nuk e kanë tani më. Kur të jesh i mbyllur dhe kur nuk je transparent me popullin tënd atëherë ngritën dilema që nuk është duke u bërë asgjë. Duhet guxim, veprim dhe koordinim të plotë për të gjetur më të mirën e mundshme. Asnjërën nga këto nuk po e bënë qeveria dhe as ministria e shëndetësisë”, ka thënë ai.
Kurse Dreshaj tha se ligjet janë në proces mirëpo fatkeqësisht ka shumë vonesa deri në miratimin e tyre.