PDK padit ZRRE-në për ngritjen e çmimit të rrymes

Partia Demokratike e Kosovës ka paditur sot Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) si dhe ka iniciuar komisionet hetimor parlamentar për të hetuar keqpërdorimin e dhjetëra miliona eurove nga qeveria gjatë krizës energjetike. 

Sipas komunikatës së dërguar për mediat, PDK vlerëson se vendimi i ZRRE-së për rritjen e çmimeve të energjisë elektrike, meriton shqyrtim gjyqësor.

“Partia Demokratike e Kosovës, duke vepruar në mbrojtje të interesit publik, sot ka parashtruar Padi kundër Vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), me të cilin janë aprovuar tarifat e reja të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë. Vendimi i ZRRE-së, meriton shqyrtim gjyqësor në gjykatën kompetente, pos tjerash, edhe për faktin e mos përfshirjes në strukturën e re tarifore të pagesës së energjisë elektrike – të katër komunave veriore, duke diskriminuar kështu qytetarët e pjesës tjetër të vendit”, thuhet në njoftimin e PDK-së.

PDK thotë se ZRRE, duke mos përfshirë  në strukturën e re tarifore të pagesës së energjisë elektrike, katër komunat veriore, “përveç diskrimimit mbi bazën e vendbanimit, ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në cenimin e parimit të sundimit të ligjit dhe shtrirjes së sovranitetit shtetëror në pjesën veriore të shtetit”.

“Vendimi i kontestuar, po ashtu ka të meta në pikëpamje të plotësimit të kushteve ligjore të procedurës administrative të cilat sigurisht do të argumentohen dhe provohen në procedurën kontestimore në Gjykatë”, thuhet tutje.

PDK thotë se vendimi i saj për të paditur Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, vjen pasi Grupi Parlamentar ka parashtruar edhe kërkesën për themelimin e komisionit hetimor parlamentar.

“Në këtë komision do të hetohen vendimet, veprimet dhe mosveprimet e Qeverisë dhe institucioneve të tjera, në raport me menaxhimin e sektorit të energjisë, veçanërisht në muajt e krizës energjetike në të cilën u keqpërdorën dhjetëra miliona euro, pa plan, pa strategji, pa transparencë dhe në mënyrë të kundërligjshme”, thuhet në fund.