Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, e ka quajtur Qeverinë e Kosovës “Qeveri e pishmanit”.
Lekaj përmes një postimi në Facebook ka reaguar për shfuqizimin e vendimit për përgjysmimin e biletave për disa kategori në autobusët ndërurban.
“Sot, Ministria e Infrastrukturës u detyra ta tërheqë vendimin e vet të lëshuar para disa ditëve, për lirimin e 50% të biletave. Kjo është tallje me qytetarët e Kosovës”, ka thënë Lekaj.
Edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka reaguar pasi që MI-ja e shfuqizoi këtë vendim.
Bajrami e ka quajtur tallje dhe ka thënë se kjo është loje e Qeverisë me popullin.
“Shfuqizimi i vendimit për përgjysmimin e çmimeve të biletave për disa kategori është lojë e zyrtarëve praktikantë të Qeverisë. Siç e kam thënë në fillim se ai vendim ishte i pazbatueshëm e përsëris edhe sot se para vendimit do të duhej të merreshin një sërë masash për të mbajtur në fuqi një vendim, i cili ishte në të mirë të qytetarëve por që ishte i pazbatueshëm nga kompanitë e transportit”, ka shkruar ajo.