Këta janë tetë nga 11 zyrtarët e MPJD-së të larguar nga puna

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka marrë vendim për largimin nga puna të 11 punëtorëve të kësaj ministre, të cilët ishin anëtarë të shërbimit të jashtëm.

MPJD përmes një njoftimi ka bërë të ditur se vendimi është marrë në vazhdën e masave për vendosjen e ligjshmërisë në administratën publike të Kosovës dhe anulimit të vendimeve të jashtëligjshme, të marra në të kaluarën.

“Ata kanë hyrë dhe janë konsideruar anëtarë të shërbimit të jashtëm përmes vendimeve arbitrare”, thuhej në njoftim.

Mes emrave të shkarkuar janë Shota Bukoshi, vajza e Bujar Bukoshit, e cila ka mbajtur pozitën e këshilltares së ambasadës së Kosovës në Berlin.

I shkarkuar është edhe Blerim Canaj, që mbante pozitën e konsullit në ambasadën e Kosovës në Gjermani dhe Bahrije Hoti e cila ka qenë shefe e konsullatës së Republikës së Kosovës në Bern.

Gjithashtu në mesin e të shkarkuarve është edhe Adnan Jakupi, vëllai i këngëtares Leonora Jakupi.

Të shkarkuar janë edhe Florim Krasniqi, Adnan Dragaj, Enver Buqaj dhe Rrahim Morina.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka thënë se është duke shqyrtuar edhe masat që duhet të ndërmerren ndaj zyrtarëve përgjegjës për punësimin e paligjshëm të personave të mësipërm.