‘O tu rrit nera’, kështu u zu polici duke marrë ryshfet në Qafë Morinë

‘O tu rrit nera’, kështu u zu polici duke marrë ryshfet në Qafë Morinë

Në dosjen e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj policëve që u arrestuan në aksionin “Pika”, e që e ka siguruar T7, është edhe një bisedë e zhvilluar mes zyrtarit të policisë H.H. me disa persona nga të cilët dyshohet se ka marrë ryshfet në pikën e kontrollit të dokumenteve.


Paraprakisht H.H. në kabinë ka qenë bashkë me zyrtarët policorë L.H. dhe A.H..

Sipas dosjes që ka siguruar T7 H.H. e pyeti fillimisht shtetasin shqiptar se nga po shkojnë dhe kush ka me pagu.

“Me datë 28.10.2021, rreth orës 18:44, deri sa ishte në detyrë në kabinë për kontrollin e pasaportave në Pikë Kalimin kufitar në Qafë Morinë, në kabinë ishin të pranishëm edhe zyrtarët policor L.H. dhe A.H. për kontroll vjen qytetari S.S, i lindur më 28.11.1982, me numër të dokumentit personal …, shtetas i Republikës së Shqipërisë me automjet me targa …. Pasi që përshëndetet, i pandehuri H.H. e pyet S. ‘kah jeni ka shkoni a çka jeni ka boni, a ki me pagu ti a ai i pari’: pas kësaj vozitësi i automjetit i gjuan diçka nga pjesa e jashtme e sportelit (dyshohet para), mbi tavolinë. I pandehuri H.H. duke i thënë o tu rrit nera (i merr paratë prej tavolinës dhe në shpejtësi i shtyn nën tavolinë”, thuhet në dosje.

Ndryshe, sipas dosjes së prokurorisë, policët përdornin metoda të ndryshme për t’i fshehur paratë e ryshfetit.

Zyrtari policor me inicialet Xh.H, dyshohet se i fshihte paratë e ryshfetit në qorape.

“Rreth orës 13:12 , zyrtari policor Xh.H, ndjerr nga qorapet dicka e që dyshohet paratë e marra më herët nga qytetari, ngrihet nga karriga duke thirur Rreshterin e i thotë “Mërgim që qitu ni leqenik se ti je (s‘kuptohet) ia dorëzon dhe kthehet sërish në karrige për të regjistruar kalimtarët e tjerë”, thuhet në dosjen e prokurorisë.

Zyrtari tjetër policor, G.A, dyshohet se e fshihte ryshfetin në mes të këmbëve.

“Pasi që përfundon me palën zyrtari policor G.A i kthen dokumentet vozitësit me dorën e majtë i merr atë që kishte shti në mes të këmbëve që dyshohen se janë para dhe i shtinë në gjepin e majtë të pantallonave”, thuhet në dosje.

Polici H.P dyshohet se i fshihte paratë poshtë këmbeve të tij.

“…bën një veprim të dyshimtë ku dyshohet se nxjerr diçka nga dokumentet dhe lëshon poshtë këmbëve të tij (dyshohet të jenë të holla, por vlera e tyre nuk shihet)”, thuhet në dokument.

Ndryshe, veprat kryesore për të cilan janë arrestuar zyrtarët policorë dhe ata të doganës, është pranimi i ryshfetit dhe keqpërdorimi i pozitës së tyre zyrtare. Sipas akuzave, me marrjen e ryshfetit, policët e arrestuar kryesisht kanë lejuar kalimin e personave dhe kompanive pa paguar akcizën dhe detyrimet e tjera të parapara sipas ligjeve.

25 prej të arrestuarve kanë dalë dje para gjykatës, të cilëve u është vendosur masa e paraburgimit prej 30 ditëve.

Inspektorati i Policisë së Kosovës ka njoftuar se aksioni “Pika” është përkrahur edhe nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës.