Mishi pa afat ishte i ELKOS, Ramiz Kelmendi: Dallon mishi pa afat dhe mishi i prishur

Mbi 36 mijë kilogramë mish me afat të skaduar është gjetur gjatë ditës së djeshme në depot e kompanisë ELKOS në fshatin Zahaq të Pejës. E gjithë kjo sasi e mishit është asgjësuar nga ana e zyrtarëve shtetërorë. Ndërkohë për rastin janë arrestuar dy persona. Por, për gjithë aksionin e policisë në kompaninë ELKOS, pronari i saj, Ramiz Kelmendi, thotë se u njoftua mbrëmë edhe atë nga ana e mediave. Kelmendi thotë se mishi ishte me afat të skaduar e jo i prishur. Nacionale sjell përgjigjen e tij për këtë rast.

Një pjesë e frigoriferëve të kompanisë ELKOS ka qenë plot me mish me afat të skaduar. Mish i gjedhit, i peshkut, mish i pulës me origjinë të prejardhjes nga Brazili, Italia e Polonia, janë vetëm disa nga produktet e mishit të cilat kishin kohë që qëndrorin në depot e kompanisë Elkos pa afat në fshatin Zahaq të Pejës.

Me këtë punë, gjatë ditës së martë u mor policia e Kosovës bashkë me inspektorët e Agjencisë të Ushqimit dhe Veterinës (AUV) , Inspektoratin Sanitar dhe zyrtarët e ATK-së.

Gjatë inspektimit në këtë depo, policia ka gjetur plot 36 mijë kilogramë apo 36 tonë mish me afat të skaduar.

Por për gjithë këtë situatë deri në orët e mbrëmjes nuk kishte ditur gjë pronari i kompanisë ELKOS, Ramiz Kelmendi. Ai në një bisedë për Nacionale.com tha se rreth orës 21:00 të mbrëmjes u njoftua për rastin.

“Edhe unë e kam marrë vesh dje prej gazetave se nuk më ka tregu askush. Në 9 ora e kam lexu. E përgëzojë policinë që e kanë nxjerrë ndoshta këtë papërgjegjësi të depoistit ose të punëtorëve që kanë mujtë me e bo kërkesën ndonjë ditë më herët në mënyrë që ajo me e asgjësua”, thotë Kelmendi për Nacionale.com.

Por ai thotë se malli nuk ka qenë i prishur, por atij i kishte skaduar afati.

“Veç të kuptohemi, nuk është mall i prishur, është mall me afat të skaduar. Atij i ka skaduar para një jave.”

Kelmendi thotë se u befasua edhe me mallin që doli se kishte afat të skaduar në depot e fabrikës që ai drejton.

“Për nder nuk e di. Kam mendu që sipas infove janë 300-400 kg, që është normal. Por edhe 2-3 tonë është shumë normal. Ai frigorifer i zë shumë mirë aq ton. Është gabim shumë i madh.”

E Kelmendi tregon po ashtu se çka do të bënin me atë mish

“Me e gjujtë. Veç me e gjujtë. Ato kanë qenë të deklaruara për humbje e jo për distribuim.”

Nga ana tjetër, sasia e mishit me afat të skaduar është dërguar për t’u asgjësuar. Në deponinë e mbeturinave është bërë matja e mishit, pesha e përgjithshme e të cilit ishte: 36.180 kilogramë.

Për këtë rast janë arrestuar të dyshuarit: A.H., (menaxher kryesor i pesë njësive të biznesit afarist) dhe A.A., (zv. menaxher i depos). Mbi të arrestuarit rëndon dyshimi se kanë kryer veprën penale: ‘prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë’.

Të dyshuarit janë intervistuar në prezencën e avokatëve mbrojtës dhe pas intervistës me urdhër të prokurorit kujdestar i dyshuari A.H., është ndaluar për 48 orë, ndërsa i dyshuari A.A., është lëshuar në procedurë të rregullt.