Si do funksionojë “Qeveria në hije” e PDK-së?

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka zbuluar se si do të duket “qeverisja e mirë” që po planifikon të formojë subjekti i tij.

Krasniqi dhe PDK kanë kohë që po përmendin formimin e asaj që quhet “Qeveri në hije” në Britani të Madhe.

“Kabineti i qeverisjes së mirë është obligimi statutar i PDK-së. Kur jemi në opozitë PDK e formon kabinetit e qeverisjes së mirë që është i njëjtë pak a shumë me atë që në Britani të Madhe e quajnë qeveri në hije. Kemi filluar punën menjëherë pas formimit të qeveris. Do t’i them disa detaje. Ne do të mundohemi t’i tregojmë qytetarit se si do të dukej një qeveri e ardhshme nga PDK. Si do të drejtoheshin dikasteret. Qytetari mund ta shohë qeverinë e ardhshme prej tani”, thotë ai në T7.

Krasniqi zbulon se kjo ishte bërë në mënyrë të njëjtë para vitit 2007, kur PDK ishte në opozitë

“Kabineti i qeverisjes së mirë është kjo. Do të jetë i përbërë nga departamentet. Nuk do të jetë vetëm një njeri për një dikaster por do të ketë ekipe. Personalitete ekspertësh që do të na bashkohen në këtë organizim. Disa do të jenë tradicionale. Financa, shëndetësia, drejtësia. Secili do ta ketë një ekip dhe do ta ketë një koordinator. Gradualisht gjatë rrugës do ta hartojmë dhe prezantojmë vizionin e PDK-së. Pak e shumë e kemi bërë prej vitit 2005-2006 kur kemi qenë në opozitë e pastaj kemi qenë të gatshëm nga dita e parë në pozitë kur erdhëm më 2007”, përfundoi ai.