36 mijë e 180 kilogram mish me afat të skaduar janë gjetur në një depo në Zahaq të Pejës.
Këto gjetje janë bërë nga Policia e Kosovës saktësisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit dhe inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës.
“Gjatë inspektimit në këtë depo është gjetur mish me afat të skaduar. Në mesin e produkteve të mishit me afat të skaduar është gjetur mish i gjedhit, i peshkut, i pulës me origjinë të prejardhjes nga Brazili, Italia dhe Polonia”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
PK ka njoftuar se sasia e mishit me afat të skaduar është dërguar për t’u asgjësuar.
Policia e Kosovës për këtë rast ka arrestuar dy persona të dyshua se kanë kryer veprën penale“prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve te dëmshëm ushqimor”, menaxherin kryesor i pesë njësive të biznesit afarist dhe menaxherin e depos.
“Të dyshuarit janë intervistuar në prezencën e avokateve mbrojtës dhe pas intervistës me urdhër të prokurorit kujdestar i dyshuar A.H., është ndaluar për 48 ore ndërsa i dyshuari A.A., është lëshuar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.