Rrëfmi i shqiptarit që dëshmoi kundër Millosheviçit në Hagë: Doja me kapë për fyt
shukri Gërxhaliu, doktori nga Studimja e Poshtme, është ndër shqiptarët e rrallë që dëshmuan për krimet serbe ndaj shqiptarëve në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë. Si ish-mjek epror i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ai rrëfeu krejt çka pa edhe përballë Sllobodan Milosheviçit, i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Haga.
Gërxhaliu foli si dëshmitar edhe në rastin e Millan Millutinoviqit, Nikolla Shainoviqit e të tjerëve, të cilët akuzoheshin për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve ose zakoneve të luftës gjatë viteve 1998-1999.
Mjeku që trajtoi dhjetëra viktima shqiptare të dhunuara seksualisht nga ushtria e policia serbe, ofroi dëshminë e tij edhe kundër kryepolicit serb të Kosovës në kohën e luftës, Vllastimir Gjorgjeviq, i cili u dënua me 27 vjet burg nga Haga.
Ndonëse i sëmurë nga kanceri, Gërxhaliu me shumë energji shpalosë kujtimet e tij për përballjen me ish-udhëheqësit e Serbisë kundër të cilëve dëshmoi për krimet në qytetin e Vushtrrisë.
“Kisha qef me e kapë për fyti Millosheviçin, por e mbajsha veten. Ndjeja neveri ndaj tij”, thekson Gërxhaliu në rrëfimin e tij të gjatë për Gazetën Nacionale.
Përballja në Hagë me Kasapin e Ballkanit
Ishte viti 2002, kur Gërxhaliu për herë të parë do të dëshmonte në Tribunalin e Hagës për krimet e kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.
I pandehuri kundër të cilit do të dëshmonte ishte hiç më pak se Sllobodan Millosheviç, lideri serb që u bë shkaktari i të gjitha luftërave në ish-Jugosllavi.
Gërxhaliu thotë përgatitjet për paraqitjen përballë Kasapit të Ballkanit ishte e gjatë.
“Edhe disa para meje kanë dalë para tij ama u ka ra t’fiktë. Unë e kam përgatitë veten gjatë”, thotë Gërxhaliu.
Doktori që tash është në pension, tregon se çfarë ndjeu kur e pa Millosheviçin në bankën e të akuzuarve.
“Kur kam dalë para Millosheviçit, para atij monstrumi, i kam thanë vetes ai është i nënshtruar nën këmbën time. Dhe si të tillë e kam vëzhgu, si i nëpërkëmbur, si i varur prej meje, prej dëshmisë time. Dhe në mënyrë precize, në mënyrë të argumentuar kam dëshmu. Falë përgatitjes nga amerikanët, nga Geoffrey Nice e të tjerët kam dëshmu mirë”, rrëfen Gërxhaliu.
Madje për shkak të krimeve të bëra nga regjimi i Millosheviçit, Gërxhaliut i shkaktonte neveri prezenca e tij.
“Kam pasë urrejtje për të, më ngjallte neveri. Kam pasë me eksplodu. Ishte momenti kur dojsha me u shfry, me tregu çka ka bërë. Kisha qef me e kapë për fyti Millosheviçin, por e mbajsha veten. Ma shumë s’kisha dashtë se veç me pasë mundësi një herë me kapë për fyti”, tregon duke qeshur Gërxhaliu.
Ai tregon se çfarë i tha personit përgjegjës për tragjedinë në Kosovë e në luftërat e tjera në Ballkan gjatë viteve 90-të.
“Prej fillimit deri në fund, ai bënte pyetje. Shtronte pyetje shumë ama gjithmonë ishte përgjigjja. Ishte një distancë mes nesh, ai kur folke i hapke sytë e bënte gjeste. Shpeshherë i përsëriste pyetjet, kajhere bojke pyetje të gjata. Në një moment i thashë “mos je matufosur” se një herë t’u përgjigja në këtë pyetje. Unë e kam ndje veten krenar, goxha të fuqishëm që mu dha rasti me dëshmu kundër një njeriu që ka qenë Kasap i Ballkanit. Mezi kam pritë me shku me dëshmu”, rrëfen Gërxhaliu.
Ai është i kënaqur me dëshminë që e dha para 20 viteve.
“Menoj që për atë kohë ajo dëshmi ka qenë në nivel. Mirëpo pastaj kam marrë hala ma shumë informata mbi viktimat e dhunës seksuale, mbi të vrarët e nga familjarët e tyre. Por ajo dëshmia e vitit 2002, sipas mendimit tim, ka qenë plotësisht e argumentuar. Sepse aty s’duhet me gabu, kur të folsh një herë duhesh me mbrojtë me argumente. Unë kam pasë argumente edhe të inxhizuara edhe të fotografuara e isha edhe dëshmitar i gjallë”, shton Gërxhaliu.
Ish-mjeku epror i UÇK-së tregon se sa herë shkonte në Hagë, ai me vete kishte listën e grave e burrave të dhunuar në Vushtrri e rrethinë.
“Çdo herë e kam marrë me vete edhe listën e viktimave të dhunës seksuale. 134 gra e burra i kam identifiku, por nuk më lejonin t’ia tregoja Millosheviçit e me i thanë shiko çka ke bërë”, thotë Gërxhaliu.
Mirënjohja e munguar
Dje Gazeta Nacionale botoi rrëfimin e doktorit mbi masakrën e familjes Gërxhaliu dhe mbi trajtimin që mjeku në pension u bërë për vite me radhë grave e burrave të dhunuar seksualisht nga serbët në Vushtrri e rrethinë.
Gërxhaliu tregoi se për 15 vite sa mblodhi rrëfimet e trajtoi viktimat e dhunës seksuale, ai mbajti evidencë për identitetin e tyre duke përpiluar një listë.
“E kisha një ordinancë, aty vishin ato. E informojshin njana-tjetrën edhe ardhshin. Rrëfimet e tyne i kam majtë konfidente dhe kam bë një listë. Për 15 vjet, këto viktima janë trajtu te unë. 134 gra i kam identifiku. E kam listën. Nuk kanë qenë të gjitha te unë, por shumica po. Ato m’tregojshin kam qenë vetë e treta, filanja ka qenë me mua, filanja me mua edhe unë i kam shënu të gjitha. E kam majtë njëfarë evidence dhe i kam llogaritë që gjithsej 134 gra janë dhunu në Vushtrri dhe rrethinë”, rrëfeu Gërxhaliu.
E për gjithë këtë veprimtari të tij që nga përfundimi i luftës, institucionet ende nuk e kanë nderuar me asnjë mirënjohje.
“Nëse më japin ndonjë mirënjohje, është e mirëseardhur. Deri tash nuk kanë bërë një gjë tillë, tash e tutje s’e di. Shpresoj që kjo gjenerata e re e politikanëve, kam shpresa në ta, ndoshta këta bëjnë pak më mirë e më drejt. Një mirënjohje a medalje nga presidentja do të ishte një lumturi e madhe e jemja, një lloj satisfaksioni edhe për fëmijët e mij e për fëmijët e fëmijëve të mij”, thotë Gërxhaliu.
Megjithatë ai thotë se nuk ka mirënjohje më të madhe se kontributi për atdheun.
“Lavdata e kreniara jeme më e madhe është që kur kanë qenë minatorët e ngujuar kam shku u kam ndihmu. Kur kanë qenë nxënësit e helmuar në Vushtrri po ashtu, ekziston xhirimi. Kur erdh puna me shku në luftë, prapë jam shku dhe e kam dhënë kontributin tim modest. Kjo që e kam bërë është krenaria jeme që e di populli dhe Zoti”, deklaron Gërxhaliu.