Bekim Jashari me dedikim të veçantë për ditën e mësuesit

Shkrun Bekim Hamëz Jashari
24 vite me parë, me 7 mars 1998, Baba Shaban, mësuesi i parë i Drenicës, udhërrëfyesi dhe luftëtari ynë i Lirisë, Ditën e Mësuesit e priti duke luftuar kundër armikut tonë shekullor.
Sot në Ditën e Mësuesit kujtojmë e nderojmë kontributin e jashtëzakonshëm të arkitekteve të kombit tonë, mësuesve të gjuhës shqipe, gjuhës sonë autentike të ruajtur e përcjellë brez pas brezi me shumë mund e sakrificë.
23 vite pas përfundimit të luftës kujtojmë e nderojmë kontributin e jashtëzakonshëm të mësimdhënësve tonë që edhe në shtëpi-shkolla nuk u dorëzuan por arritën me sukses misionin e tyre për edukimin dhe mbajtjen gjallë të gjuhës sonë të shenjtë, kujtojmë e nderojmë mësuesit që nuk kursyen as jetën e tyre për Lirinë tonë, gjyshin tim mësuesin Shaban, mësuesin Halit Geci e mësues tjerë që ranë për të mos vdekur kurrë.
Mbajtjen e mësimit shqip nuk mundi ta ndaloj as pushtuesi e agresori serb, ai vazhdoj në kohë lufte edhe atëherë kur mësuesit jo vetëm që nuk paguheshin por ata rrezikonin edhe jetën e tyre duke iu mësuar të rinjve tonë guximin, trimërinë e sakrificën për shtet e atdhe.
Një falënderim të veçantë dua të bëjë për të gjithë diasporën shqiptare në gjithë globin, të cilët në kohën më të vështirë përkrahen shkollat tona dhe mësuesit tanë, duke dërguar mjete financiare për të mundësuar mbajtjen e mësimit shqip edhe në kohë lufte e përndjekjesh.
Sot, kur kemi shtetin tonë, kemi rininë si potencialin më të madh për zhvillimin e vendit, ngritja e cilësisë në arsim, edukimi i mirëfilltë i gjeneratave të reja është obligim i secilit nga ne.
Urime 7 marsi-Dita e Mësuesit, dita e shkollës shqipe!
Lavdi babës Shaban dhe gjithë mësuesve që ranë për Lirinë tonë! /RTV Okarina/