Kontrabandistët rihapin rrugën ilegale ne veri, suspendohen katër policë kufitar

Një rrugë ilegale, e cila ditëve te fundit u mbyll me zhavor nga Policia e Kosovës është rrafshuar nga një makineri e cila dyshohet se kishte ardhur nga Serbia.

Për këtë ngjarje janë suspenduar katër zyrtarë policorë kufitar.

Ngjarja ka ndodhur në Leposaviq.

Siç mëson KALLXO zyrtarët policorë kishin lëshuar pikën të cilën e kishin për detyrë ta mbikëqyrnin dhe gjatë kohës sa ata janë larguar një buldozer dyshohet se është afruar dhe ka rregulluar rrugën e groposur.

IPK sipas një njoftimi ka thënë se të njëjtit po dyshohet se kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit.

Ata nuk kanë qëndruar në pikën e caktuar për mbikëqyrje pas aksionit të bllokimit të rrugëve ilegale në disa zona te ndryshme përfshirë edhe zonën e Veriut të Kosovës.

Ditë më parë Policia e Kosovës me kërkesë të Doganës së Kosovës ka bllokuar disa rrugë të cilat janë shfrytëzuar për kontrabandë e veprimtari ilegale.