Kreu i OVL-UÇK-së, Emin Lati: Është gjynah prej bacit Jakup të bësh humor me të tani që është në burg


Kryetari i OVL-UÇK-së në Skenderaj, Emin Lati, ka deklaruar se si organizatë i kanë shqetësuar gjithmonë skeqet që bëhen në drejtim të figurave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke iu referuar edhe rastit të fundit me skeçin e publikuar nga aktori Vedat Bajrami, që e portretizonte Jakup Krasniqin.
“Kemi edhe rastet e mëhershme, nga viti 1991 kur Adem Jashari ka dalë dhe e ka formuar UÇK-në – ka pasur fyerje e sharje, fotografi të shqyera pas luftës, dhe tani kjo e bacit Jakup. Kjo nuk është e mirë për ne dhe na ka shqetësuar të gjithëve, por e gjithë kjo vjen për shkak të mungesës së ligjit për vlera të luftës”, tha Lati.
“Humori i ka ato gjërat e veta, por duhet pasur dhimbje ndaj familjes së bacit Jakup, se ai është në burg atje. Duhet t’i dhimbset familja e të ketë një trohë konsideratë, se humori e ka programin e vet e duhet ndoshta ka pak me bë humor, por baci Jakup ka qenë i dënuar edhe para luftës edhe tash është në Hagë, pra është gjynah prej bacit Jakup dhe s’është mirë për neve si shqiptarë me bë kësi gjërash”, shtoi ai.
Sipas Latit, aktori Bajrami ka mundur të gjejë ndonjë metodë tjetër dhe jo atë me pamje prapa grilave dhe sa u përket vlerave të UÇK-se duhet me e ruajt humorin tek individë të caktuar.
“Do të doja që ai të bënte një kërkimfalje ndaj familjes dhe opinionit dhe të mos luajë me vlera të luftës, me dëshmorë e veteranë, kur ka boll gjëra për të bërë humor. Krejt kjo është se s’ka ligj për me i mbrojtë vlerat e luftës. Krejt këto janë pasoja të ligjit”, përfundoi Emin Lati në Klan Kosova.