Imami i Xhamisë në Skenderaj: Në 1992 në këtë xhami e kanë pruar armatimin, aty ishte Thaçi e Veseli

Një storie interesante e ka realizuar mediumi ATV për Xhaminë e Burojës e cila kishte shërbyer si çerdhe e armatimit të UÇK-së.
Imami i xhamisë Fadil Idrizi ka treguar ekskluzivisht se kush e solli dhe si ishte ruajtur armatimi para luftës deri në fillimin e luftës, shkran Jepi Zë.
“Nga kjo xhami ushtarët e UÇK-së jo vetëm që dilnin të armatosur por edhe të përgaditur emocionalisht për luftë. Gjatë luftës së fundit Xhamia e Fshatit Burojë ka shërbyer edhe si çerdhe për armatimin e ushtarëve të UÇK-së, në vitin 1992 për herë të parë kur është ardhë armatimi, ka ardhë në Xhaminë e Burojës nga Shqipëria, aty ka qenë Hashimi, Kadriu, Naseri – djali i Mulla Avdylit, Mulla Avdyli në atë kohë ishte imam i kësaj xhamie prej 1984 e deri në vitin 2005, në atë kohë vendi më besnik dhe më strategjik për me lanë armatimin, për me kanë larg syve të pushtetit të atëhershëm ka qenë xhamia këtu në fshatin Burojë. Arsyeja ka qenë sepse rrethi këtu ku gjindet xhamia është një rreth shumë i mirë, është një rreth besnik, dhe e kanë ruajt natën dhe ditën. Në atë kohë kanë ardhur, rreth 7 arkivola janë mbushur me armatim dhe këtë pjesën para hyrjes këtu në xhami është hap si një lloj bunkeri e janë vendosur arkivolat deri në fillimin e luftës”, shtoi imami Idrizi.
Pasi Serbia e kuptoi rëndësinë e xhamisë filluan edhe sulmet e ndryshme për ta shkatërruar xhaminë.