Para 77 vitesh ka rënë heroi Shaban Polluzha (1871-1945) nga fshati Godanc i Drenicës, i cili ishte rritur në një familje të varfër, e cila mezi siguronte kafshatën e gojës.
Shabani qysh si fëmijë ishte kacafytur me problemet e luftës për ekzistencë, shkruan Mediafokus.info
Në këtë kohë sheh format e vrazhda të eksploatimit të fshatarësisë në Drenicë nga sundimi turk, e më vonë edhe nga ai serb, bullgar e austro hungarez, dhe sërish nga ai serb.
Si i ri, shpeshherë kishte rënë në konflikt me njerëzit e pushtetit. Duke provuar këmbënguljen e tij në mbrojtjen e interesave të fshatarësisë, rrethi i Polluzhës në kohën e pushtimit bullgar, e zgjedh përfaqësues të vetin (çaush).
Polluzha aso kohe gjendej në vijën kufitare të pushtimit austro hungarez. Ai nuk mbante mbikëqyrjen vetëm në zonën pushtuese bullgare, por shpeshherë dilte edhe në anën austro hungareze për të parë se si jetonte populli në atë pjesë.
Përderisa pushtuesit bullgarë bënin zullum të madh në pjesën e vet mbi fshatarë, në anën tjetër pushtuesi austro hungarez ishte më i matur dhe mundohej të përfitojë sa më shumë popullatën vendase, duke përfillur deri diku të drejtat kombëtare, dhe duke hapur shkolla në gjuhën shqipe.
Kur Kosova pushtohet sërish nga Serbia, Shaban Polluzha ngre zërin kundër këtij regjimi. Për rezistencë që i bën, ai burgoset në Skenderaj dhe Mitrovicë.
Në vitet 1920 bie në kontakt me Azem Bejtën. Për disa çështje kishin pikëpamje të kundërta. Më në fund merren vesh për veprim të mëtejmë. Shaban Polluzha në këtë periudhë ishte zgjedhur kryetar komune në Polac.
Në Luftën e Dytë Botërore, në kohën e pushtimit italian, burgoset me gjithë familje në kullën e Sheremetit në Pejë më 1941.
Merr pjesë në mbrojtjen e kufirit në Rozhajë, e pastaj me brigadën e tij shkon në Jeni – Pazar për t’i mbrojtur myslimanët e asaj ane nga çetnikët, që në atë kohë bënin reprezalje të mëdha, duke i vrarë dhe duke u djegur tërë pasurinë. Atje qëndron një kohë përderisa i zmbraps forcat çetnike dhe me luftëtarët e vetë kthehet në Drenicë.
Nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, angazhohet në anën partizane, por nuk u pajtua me vrasjet që i bënin brigadat serbe e malazeze dhe OZN-ja në Drenicë, prandaj nis luftën kundër tyre.
Tribuni i popullit, Shaban Polluzha, në të gjitha etapat e jetës së tij u angazhua për mirëqenien e popullit shqiptar, duke mos kursyer asgjë për të, madje as jetën, as familjen e as truallin dhe kullat. Ideali i tij për pavarësinë kishte zënë vend në shtatin e tij qysh në moshën e re. Për këtë ideal, më vonë do ta japë jetën.
Gjatë rezistencës që i bëri ushtrisë jugosllave në Drenicës e në Shalë të Bajgorës, u dëshmua si prijës tribun. Në këtë periudhë Shaban Polluzha barte flamurin kombëtar, me të cilin mbështillte plisin e bardhë. Pra, në të njëjtën kohë flamurin dhe plisin – plisin mbështjellë me flamur!
Në kujtimet e veta Tahir Topilla thotë se Shaban Polluzha, asnjëherë nuk doli pa flamur, sepse për të luftonte dhe për të ishte i lidhur gjatë tërë jetës. Me të u vra dhe për të dha jetën!