Kryetarët e komunave kërkojnë të paguhen sa deputetët dhe ministrat

Kryetarët e komunave duhet të paguhen sa deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe ministrat. Kjo është kërkesa e Asociacionit të Komunave të Kosovës që vlerëson se kryekomunarët duhet të vlerësohen për angazhimin e tyre. Po ashtu, kërkesë për rritjen e pagës ka edhe për asamblistët.

Drejtori i AKK-së, Sazan Ibrahimi, tha se paga për krerët e komunave të Kosovës duhet të rritet për shkak se ata janë në dispozicion të qytetarëve në 24 orë të ditës.“Asociacioni i Komunave të Kosovës vlerëson së projektligji për paga nuk i trajton në mënyrë të dinjitetshme dhe i nënvlerëson kryetarët e komunave. Ne mendojmë që kryetarët e komunave duhet të vlerësohen me një koeficient të barabartë me koeficientin e deputetit të Republikës së Kosovës apo në nivelin e ministrit sepse kanë jashtëzakonisht shumë përgjegjësi, duke marrë parasysh që janë të zgjedhur të drejtpërdrejt nga qytetari i Republikës së Kosovës. Duke marrë parasysh se ata janë pothuajse 24 orë përgjegjës për zhvillimet në nivelin lokal, duke marrë parasysh që çdo ditë presin dhe dëgjojnë dhe i zgjidhin hallet e qytetareve e qe këto dilema nuk i kanë në nivelin qendror”, vijoi Ibrahimi.

Edhe anëtarët e Kuvendeve Komunale, sipas Ibrahimit, përveç pagës duhet të marrin edhe mëditje në pjesëmarrje në seancat e Kuvendeve Komunale.

“Gjithashtu anëtarët e Kuvendeve Komunale në këtë projektligj parashihen të kenë vetëm pagë dhe jo mëditje për pjesëmarrje në seancat e Kuvendeve Komunale. Duke marrë parasysh që edhe ata janë të zgjedhur nga qytetari i Republikës së Kosovës, neve mendojmë që anëtarët e Kuvendeve të Komunave duhet të kenë edhe një mëditje për pjesëmarrjen në seancat e Kuvendeve Komunale sepse e meritojnë, sepse dhe ata e përfaqësojnë zërin e qytetarit, edhe ata i mbrojnë interesat e qytetarëve siç i mbron deputeti i Republikës së Kosovës”, theksoi Ibrahimi.

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës thotë se do të ketë një takim me kryetarët e Komunave në lidhje me projektligjin e pagave, ku siç thotë ai, më pas do të kërkojnë takim edhe me nivelin qendror për të kërkuar ndryshimet në projektligj.

“Ne mendojmë që në këto dy rrafshe duhet të ndryshohen koeficientet të cilat janë paraparë me projektligjin në fjalë dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës do të ketë një takim të përbashkët me të gjithë kryetarët e komunave. Jemi në komunikim me kryetarët e komunave, po besojmë që shumë shpejt do te kërkojmë takim me nivelin qendror në mënyrë që koeficientet të cilët janë të paraparë në këtë projektligj të ndryshojnë. Nuk duam ta nënvlerësojmë punën e askujt, nuk duam të nënvlerësojmë angazhimin e askujt por mendojmë që kryetaret e komunave duhet të trajtohen më ndryshe në raport me atë siç janë trajtuar në këtë projektligj”, tha Ibrahimi.

Aktualisht një kryetar komune paguhet rreth 1000 euro ndërsa një këshilltar i Kuvendit Komunal rreth 200 euro.