Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës(PDK), Bekim Haxhiu ka akuzuar Ministrinë e Shëndetësisë për dështimin e planit të vaksinimit të qytetarëve të Kosovës.
Gjatë debatit në kuvend, deputeti Haxhiu tha edhe sot Ministria e Shëndetësisë po vazhdon të mbajë të fshehur numrin e vaksinave që u ka skaduar afati.
Ndaj tij ka reaguar kryeparlamentari Konjufca, i cili tha se deputeti Haxhiu me tendencë bën temë debati për ngritjen e dyshimeve.
Ai tha se Haxhiu po i bën një dëm të madh kauzës së përkujdesjes ndaj shëndetit publik.
“Jam i sigurt që çdo shtet i përgjegjshëm nuk jep vaksina pa afat, kështu që meqenëse kjo është çështja t’i shumë më lehtë e ke nëse është për kureshtjen tënde kështu, me u ulë me ministrin jashtë kamerave dhe me i shqyrtuar të gjitha këto të cilat e ngrite. A nëse kjo bëhet qysh po e bën ti temë të debatit publik me do tendenca të cilat e kanë ngjyrimin e akuzës, e akuzës ose të ngritjes së dyshimeve. Besoni se ja bëni një dëm të madh vet kësaj të cilën ti po e quan kauzë të përkujdesjes ndaj shëndetit publik. Pra, ti po e dëmton kauzën e shëndetit publik duke e bërë këtë në këtë mënyrë temë të akuzimit të ministrit, të qeverisë, të organeve të shtetit në raport me procedurat e vaksinimit dhe procesin e tij në përgjithësi. Pra, kjo ishte vetëm si këshill e imja, sepse në kohën kur ka shumë njerëz të cilët mund të dyshojnë ata marrin vaksinën apo jo dhe kur del një i zgjedhur I popullit dhe ngritë dyshime mbi afatin e vaksinave, unë mendoj se me dashje apo pa të mundesh me ia bërë një dëm shumë të madh vet kauzës për të cilën po pretendon se po angazhohesh”, tha ai.
Kundër replikë pati deputeti Haxhiu, i cili tha se nuk mundet t’i mbyll sytë kur hedhën në mbeturina 133 mijë doza të vaksinave.
“Me lejoni që në aspektin e një humanisti t’ju tregoj që prej fillimit ka qenë një prej avokuesve të procesit të vaksinimit dhe një prej profesionistëve shëndetësor që I kam dhënë mbështetje ish-ministrit për të siguruar vaksinat, sepse vaksinat shpëtojnë jetë dhe kur vaksinat shpëtojnë jetë edhe si deputet, por edhe si humanist nuk mundem me i mbyll sitë kur hedhën në bërllok 133 mijë doza të vaksinave e kanë mundur të shpëtojnë 133 mijë persona nga infektimi dhe nga mbrojtja. Dhe kur si deputet kërkoj qasje në dokumentet publike dhe për dy muaj ministria e Shëndetësisë nuk të ofron qasje në dokumentet publike, normalisht që detyrë e imja është me ngritë si shqetësim. Qytetarët e Kosovës duhet të vaksinohen, nuk ka mjek që guxon me ia jep vaksinën pacientit pa afat”, tha ai.
E pretendimet e deputetit Haxhiu deri diku i ka mbështetur deputeti nga LDK-ja, Avdullah Hoti.
“Në një farë mase deputeti Haxhiu ka të drejt, nuk është menaxhuar mirë vaksinimi në Kosovë. Jemi shembull si shoqëri që nuk e ke gjetur asnjë person publik, as një person pozitë e opozitë që i ka kontribuar polarizimit të shoqërisë sa i përket nevojës dhe vaksinim dhe vetëdijesimit të qytetarëve për vaksinim”, u shpreh ai./rtvokarina/