Shembet tavani në një shkollë të Lipjanit

Mëngjesin e sotëm, tavani i një klase të shkollës së Mesme Profesionale “Adem Gllavica”, në Lipjan, ka rënë.

Për këtë ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje-dega në Lipjan, duke thënë se ka kaluar vetëm një vit që kur kjo shkollë është rikthyer në shfrytëzim, pas renovimeve që ka pasur, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Dega e VV-së në Lipjan ka shtuar “punëkryesi, e që thuhet të jetë i afërm i kryetarit Imri Ahmeti, duhet jap përgjegjësi për atë që ka ndodhur sot”.

“Punë me cilësi të dobët. Nëntorin e vitit 2021 janë bërë vetëm një vit kur është rikthyer në shfrytëzim SHMP “Adem Gllavica” në Lipjan, pas një renovimi milionësh. Edhe pse ky investim është mbi 1 milion euro, cilësia e punimeve, si edhe në shumë projekte tjera, po vazhdon të jetë shumë e dobët. Kjo u dëshmua edhe sot, ku në një klasë të kësaj shkolle, përderisa nxënësit po po e zhvillonin mësimin, tavani pothuajse u ra në kokë. Fatmirësisht nuk pati të lënduar. Punëkryesi, e që thuhet të jetë i afërm i kryetarit Imri Ahmeti, duhet jap përgjegjësi për atë që ka ndodhur sot. Çka nëse pasojat do të ishin më të mëdha? Çka nëse dikush do të pësonte lëndime, qofshin edhe ato të lehta trupore. Kjo është papërgjegjësi totale dhe po na kushton çdo ditë?”, thuhet në reagim.

Tutje, në reagim theksohet se kjo është mjaft shqetësuese. Ata kanë shprehur lutje te organet e rendit që ky rast të trajtohet me serioiztet maksimal.

“Ndodhi si kjo e sotmja kanë filluar të shpeshtohen kohëve të fundit. Mbase po i bëjnë të gjitha një vit që janë kryer, pra në vitin kur ishte vit zgjedhor e punët kryheshin me nguti. A janë në rrezik edhe klasët tjera ku mund të ndodhë ajo që ndodhi në klasën për të cilën po flasim sot. Kjo është mjaft shqetësuese për profesorët, nxënësit, mbi të gjitha për prindërit. Ne lusim organet e rendit që ky rast të trajtohet me seriozitet maksimal, prej kontratës, punëkryesit, cilësisë së punimeve e deri tek pranimi Teknik”, përfundon reagimi i VV-së.