Ankohen prindërit për vonesa në shtesa të fëmijëve

Për vonesa në pagesat e shtesave të fëmijëve janë ankuar disa prindër në Kosovë. Marrja e kohës për hapjen e xhirollogarive dhe aplikimi për shtesa e deri në pranimin e aplikimit ka bërë që shumë fëmijë të humbin një pjesë të shtesave që përfitojnë nga shteti. Gjetja e bankave me mirëmbajtjen më të lirë të llogarive ka bërë që prindërit të humbin kohë deri në hapjen e llogarisë, e rrjedhimisht edhe humbje të përfitimit të shtesave për fëmijët, ka thënë në emisionin SOT në KTV, Imer Raçi, një nga prindërit që është ankuar së fundmi për këto procedura.

Nga gushti shteti ka nisur me ndarjen e shtesave për fëmijë, me 20 euro për ata nën 2 vjeç dhe nga 10 euro për ata që kanë lindur nga 1 janari 2015 e tutje. Prindërit megjithatë janë ankuar për mospagesë të shtesave.

Raçi është ankuar për mospagesë retroaktivisht, teksa ka thënë se vetëm në rastin e tij fëmija i tij i ka humbur tre muaj nga 20 euro.

Një tjetër vërejtje që ai ka pasur në këtë procedurë ka qenë edhe pamundësia për t’u ankuar në mënyrë fizike.

“Duhet të bëhet korrigjim e të bëhet rimbursimi i të gjithë fëmijëve që i kanë humbur shtesat për shkak të vonimit në aplikim. Kjo është shkelje e të drejtave të fëmijëve sepse ata s’mund të aplikojnë vetë. Ka vonesa në hapjen e llogarive bankare, te Ministria e Financave të gjithë prindërit që s’mund të bëjnë ankesë në mënyrë elektronike, s’mund të bëjnë ankesa në mënyrë fizike se pse s’kanë dalë mjetet. I destimulon për të bërë ankesa”, ka thënë ai.

Sipas tij, ankesë tjetër është edhe pamundësia që babai të aplikojë për shtesat, e edhe në rastet kur nënat vdesin.

Përkundër ankesave, Raçi ka thënë se është gjë e mirë sistemi i pagesave për fëmijët. Sado që e ka quajtur shumë simbolike, ai ka thënë se me rëndësi është nisja e platformës. Ai ka rekomanduar që shtesa duhet të arrijë të paktën të mbulojë shpenzimet e kopshtit të fëmijëve, raporton Koha.net, përcjell RTV Okarina.