Njëra 350, e tjetra 400. Sindikatat nuk janë të një goje kur kërkojnë rritjen e pagës minimale në Kosovë.
Të parën e kërkon Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës. Kryetari Atdhe Hykolli thotë se punëtorët duhet të paguhen minimum 350 për shkak të ngritjes së standardit të jetesës.
“Nuk kanë mbrojtje në punë, nuk kanë pagën, paga minimale është ajo që ata i atakon shumë dhe ka shumë probleme të tjera të cilat ndoshta me këtë pagë minimale nëse mund ta votojmë në këshillin ekonomiko-social do të jetë një lehtësim pak më i madh për punëtorin e Kosovës”, u shpreh Hykolli, njofton Klan Kosova.
Kundër BSPK-së dhe Këshillit Ekonomiko-Social del të jetë Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat, pasi thotë se aty ka njerëz joserioz. Kreu i saj, Jusuf Azemi, kërkon rrogë 50 euro më të lartë.
“Le t’i mbetet atyre ta vlerësojnë përndryshe sindikata e sektorëve privat të Kosovës nuk njeh asnjë pagë minimale nën pagën 400 euro”, deklaroi Azemi.
Sipas Azemit, para një viti ka qenë e pranueshme edhe një pagë me e ulët, kur çmimet ishin më stabile.
Këshilli Ekonomiko-Social, që në krye ka kryetarin e BSPK-së, pritet që deri në fund të këtij muaji ta ketë një rekomandim nga institucionet e shtetit lidhur me pagën minimale.