Artan Abrashi është një prej figurave kryesore të Lëvizjes Vetëvendosje në qytetin historik të Prizrenit. Abrashi sa kishte qenë asamblist në Kuvendin Komunal të Prizrenit gjatë qeverisjes së Ramadan Mujës, kishte ngritur zërin dhe kishte kritikuar këtë të fundit për shpenzimin e parasë publike për dreka zyrtare.
Megjithatë kur kanë kaluar më shumë se shtatë vjet nga ajo kohë, emri i Artan Abrashit tashmë si deputet në Kuvendin e Kosovës, është në listën e deputetëve që kanë shpenzuar më së shumti për karburant në periudhën nëntor-dhjetor 2021.
Për këtë periudhë, Abrashi ka shpenzuar 690 euro për naftë.
Por Abrashi, sa kishte qenë asamblist i në Kuvendin Komunal të Prizrenit, kishte qenë shumë i zëshëm në mbrojtje të parasë publike.
Ai kishte bërë edhe kalkulime se sa qofte i ka ngrënë ekipi i Ramadan Mujës nëse kanë shpenzuar 63 mijë euro për gjashtë muaj.
Siç thoshte Abrashi para se të bëhej deputet, një gjë e tillë ishte totalisht e papranueshme, duke qenë se Kosova është një prej vendeve më të varfër.
“ E lexova raportin, e pash, dhe sinqerisht dua të shpreh habinë si qytetarë, te kategoria e shpenzimeve të përgjithshme, shpenzimet me rastin e drekave zyrtare. 63 mijë e 753 euro, kjo është jashtë çdo logjike. Si vend i 9-të më i varfër në botë, ku shkalla e papunësisë, në Komunën e Prizrenit është fjala kap shifrën 45 %, ku 13 % e popullsisë llogaritet se jetojnë në varfëri ekstreme, Qeveria e Ramadan Mujës sipas këtij raporti ka shpenzu 63 mijë e 753 euro, për dreka zyrtare. Kjo është e papranueshme. Dhe ky apetiti juaj ka filluar të bëhet problem serioz. Nuk di qysh mundni me hangër kaq shumë. E bëra një llogari shumë të vogël, 63 mijë e 753 euro i bjen sa 95 mijë e 629 pleskavica, nëse e marrim edhe çmimin për qebapa 025, i bjen diku mbi 255 mijë qebapa. Kjo s’është as njerëzore”, kishte thënë Abrashi para 7 vjetësh.