Lëndohen tre policë në protestën e PSD-së, iniciohet hetim për sulm ndaj personit zyrtar

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë protestës së sotme të organizuar nga Partia Social Demokrate, janë lënduar tre zyrtarë policor.

Sipas njoftimit, disa nga pjesëmarrësit kanë shpërfillur urdhrat e Policisë, të cilët përtej hudhjes së gjësendeve të ndryshme, me veprimet dhe sjelljet e tyre u kanë shkaktuar lëndime të lehta tre zyrtarëve policor.

Tutje, Policia bën të ditur se po i trajton rrethanat që karakterizojnë ngjarjen përderisa po koordinon veprimet me mekanizmat e tjerë për zbatim të ligjit, duke iniciuar edhe një hetim për rastin “Sulm ndaj personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare”.

“Gjatë kohës sa ka zgjatur protesta, Policia e Kosovës ka monitoruar situatën me qëllim të ruajtjes së nivelit të sigurisë dhe krijimit të rrethanave të përshtatshme dhe të sigurta për pjesëmarrësit në manifestim si dhe mbarëvajtjen e manifestimit, por pa u cenuar cilësia e jetës përpjesën tjetër qytetare, jo pjesëmarrëse”, thuhet në njoftimin e Policisë.