Goditet rëndë gastronomia: kthimi i TVSh-së në 18% i papërballueshëm

Tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSh) për sektorin e gastronomisë nga 1 janari sërish është 18%. Kjo pasi vendimi për këtë çështje ka qenë në fuqi veç deri në fund të dhjetorit të vitit ta kaluar.

Por ky vendim i institucioneve qendrore, po cilësohet i papërballueshëm, për udhëheqësit e këtyre bizneseve.

Flamur Smajli, menaxher në njërin nga lokale në Prishtinë tha se kthimi i vlerës së TVSh-së do të shkojë në dëme të bizneseve duke marrë për bazë se edhe nuk janë ndihmuar nga Qeveria për të përballuar dëmet e shkaktuar nga pandemia.

Madje ai thotë se nuk u ka mbetur zgjidhje tjetër veç se të dorëzohen, duke për përmendur edhe kufizimin e orarit të punës për këtë sektorë si pengesë të madhe.

“Kthimi i 18% na ka dëmtuar se duke llogaritur se ne kemi qenë të dëmtuar edhe pandemisë, nuk kemi pas shtesa, ndihma prej Qeverisë edhe Ministria ka premtuar se 8% ka me vazhduar deri sa të është pandemia, por kjo nuk vlejti prej neve. Prej 1 janarit d.m.th ja kemi nis me 18% TVSh”.

“Normal që ka ndikuar se rritja e TVSh-së, qeto e kem pas bile një lehtësim bile sadopak për pandemi me na ndihmuar, neve na ka mbet tash veç me u dorëzuar gati, nuk kem ndihma as për paga as për ndonjë gjë tjetër. Edhe kufizimi i orarit është deri në 23:00, nuk po merren me këtë çështje, ne tash jemi në gjendjen më të vështirë që kemi mundur me qenë naj herë”.

Ilir Gashi, menaxher në një lokal tjetër, thotë se kërkesa e zvogëlimit të TVSh-së ka qenë kërkesë e kamotshme e tyre, po që asnjëherë nuk është marrë parasysh.

Ndihma efektiva nga Qeveria ai thotë se nuk kanë marrë, prandaj edhe vendimi është i padrejtë dhe i pavend.