Sindikata e Policisë së Kosovës, është takuar me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ku i kanë kërkuar që të gjithë pjesëtarët e policisë, të shpërblehen me shtesë ekuivalente të një page në këtë fundvit.
Sipas Sindikatës së Policisë, kërkesa ka qenë shumë e arsyeshme, pasi sipas tyre, duke pas parasysh se Policia e Kosovës janë bartësit kryesor të sigurisë në vend.
“E që duke rrezikuar edhe jetën e tyre kanë kryer me sukses të gjitha Planet Operative dhe Vendimet e dala nga Qeveria e Republikës së Kosovës duke përfshi këtu edhe Ligjin mbi parandalimin e pandemisë COVID 19”, thuhet në njoftimin e Sindikatës së Policisë.
Tutje, në komunikatën e Sindikatës së Policisë, thuhet se kërkesa e tyre për pagën e 13-të është e arsyeshme, ku argumentohet edhe me Ligjin mbi Pandeminë, Ligjin dhe Udhëzimin administrativ mbi të drejtë e shpërblimit të një shtese për fundvit.
“Për të gjitha këto që u cekën më lart, Policia e Kosovës për vitin 2021 nuk kam marr asnjë shtesë të cilat kanë qenë të garantuara me ligj. Po ashtu edhe marrëveshja e nënshkruar nga Qeveria e Republikës së Kosovës që shujta ditore të filloj nga data 01.01.2021 e cila nuk është realizuar asnjëherë”.
“Kërkesat tona nuk janë përfillur edhe pse kanë qenë esenciale dhe minimale që të arrihen si dhe nuk kemi marr përgjigje konkrete se pse nuk janë realizuar, duke i anashkaluar Ligjet dhe marrëveshjet në fuqi”, thuhet në komunikatën e Sindikatës së Policisë së Kosovës.
Më tej, në këtë komunikatë thuhet se dëshirimi i gjithë stafit të Policisë së Kosovës dhe sindikalistëve është shumë i lartë për, sipas tyre, injorancën që është bërë nga institucionet relevante.
“Sindikata e Policisë së Kosovës është shumë e vendosur që të qëndroj përballë të gjitha të drejtave dhe kërkesave të garantuara me Ligj të të gjithë punonjëseve të Policisë së Kosovës, të cilat deri me tani nuk janë realizuar asnjëherë”, thuhet në komunikatë.