Fotografi i Rugovës: Hera e parë që e kam pa atë me lot në sy ka qenë kur ia kam tregu fotografinë e Jasharve

 

Në 32-vjetorin e themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, fotografi Adnan Ruhani e ka hapur një ekspozitë, ku ka shfaqur fotografitë që ia ka bërë personalisht për një periudhë 30-vjeçare, presidentit të ndjerë Ibrahim Rugovës.

Ndërkaq të martën në Ora Shtatë ai tregoi si ka nisur punën si fotograf, për njohjen e tij me ish-presidentin, si dhe për situatat emocionuese të këtij të fundit.

“Fillum me disa demonstrata me i fotografu, kam qenë bashkëpunëtor i rilindjes një kohë. Nuk kemi qenë shumë njo gjashtë a shtatë vetë, por situata ka qenë ai burimi kryesor që na ka dhanë frymëzimin që duhet me u informu popullatën”, ka thënë Rahuni.

Ai tha se puna e tij prej fotografi shpeshherë ia ka rrezikuar jetën dhe ëshhtë rrahur nga policët serbë,vetëm e vetëm për t’i mbajtur njerëzit e informuar me tmerret që po ndodhnin.

“Gjithmonë kemi qenë në reziqe të mëdha më ka rre disa herë policia por i kam përballu gjitha, i kemi tregu ato tmerre”, ka shtuar ai.

Ai tregoi se një kohë ishte shkëputur nga profesioni i fotografisë por që Anton Çeta ishte ai që e ka rikthyer, dhe tash për të qenë fotograf i presidentit Rugova.

“Anton Çetën e kemi pasë mik të shpisë edhe unë e kisha një biznes tjetër, Antonin më ka ra shumë me nejtë, tani më tha një ditë na duhet nji fotograf i besueshëm, duhet me iu kthy zanatit të vjetër”, ka thënë ai.

“Ibrahim Rugovën e kam njoftë edhe ma herët, i kam njoftë gjithë intelektualët, se fati më ka lidh asi soj t’u fotografu, me krejt intelektualët e mëdhenj të Kosovës kom pasë edhe komunikim dhe bashkëpunim”, ka vazhduar ai.

Ruhani tregoi edhe për situatën që e ka prekur më së shumti në karrierën e tij të fotografimit, dhe ajo ishte familja Jashari.

“kKpak i krejt kësaj ka qenë kur familjen Jashari, kam shku me urdhër të Rugovës me fotografu, ajo ka qenë tmerr për mu”, ka thënë ai

Ndërkaq ka shtuar se edhe për ish-presidentin ajo ishte një situatë shumë prekëse, saqë thotë se kurrë më parë nuk e kishte parë atë në atë gjendje, pra me lot në sy.

“Hera e parë në jetë teme, kur ja kam dhanë fotot e familjes Jashari, që Rugovën e kam pa shumë të prekun, ka qenë tmerr, menjëherë e dhezi cigaren dhe hera e parë që e kom pa me lot në sy, shumë i prekun, s’jam mësu me pa ashtu se gjithë ka qenë i buzëqeshun”, ka shtuar ai.

Ndërkaq shtoi se moment shumë i vështirë për të ishte kur e mori vesh se ish-presidenti ishte ndarë nga jeta.

Ruhani premtoi se në 20-vjetorin e vdekjes së Rugovës do të realizojë, siç e quan ai, një mrekulli.

“Pak kam qit foto sa u dashtë më qitë.. për 20-vjetorin e vdekjes së tij e kisha ba një mrekulli për të”, ka shtuar ai.

I pyetur se a është dikush nga fytyrat politike që i ngjason ish-presidentit, ai tha se disa tipare të tij i ka kryetari i tanishëm i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Për momentin e shoh vetëm Lumir Abdixhikun. Buzëqeshja e tij, mençuria e tij, vullneti i tij i madh me ngrit LDK-në”, ka përfunduar ai.