Artistja, Eliza Hoxha, së fundmi ka hapur ekspozitën e saj të cilën e ka quajtur “Paralel” në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Ajo e ftuar në emisionin Çeli sytë me Arin për radion Klankosova FM tha se ndër të tjera kjo ekspozitë paraqet sfidat që shumë pjestare të shoqërisë kosovare kanë në liri.
Tutje ajo tregoi se në ekspozitë flet edhe për familjet e personave të pagjetur dhe se Prishtina ka qenë motor i lëvizjeve shoqërore.
“Ekspozita “Paralel” më së pari është një lloj rrugëtimi personal duke qenë akter i atyre viteve dhe pastaj pas luftës vazhdimisht më ka preokupuar çështja e familjarëve të të pagjeturve dhe viktimave të dhunës seksuale dhe jam munduar që këtë herë t’ i sjellë bashkë dhe të jetë ky moment refeltktimi për atë që kemi kaluar dhe moment i reflektimit që është duke na humbë dhe duke u venitë historia jonë përpara sepse nuk e kemi memorizu.” u shpreh Hoxha.
Deputetja e kuvendit nga radhët e PDK-së, deklaroi se institucionet publike si Galeria Kombëtare, Muzeu dhe Teatri janë duke kaluar në një kohë shumë të vështirë dhe kanë mundësi të limituara buxhetore menaxhuese dhe vendimmarrëse.
“Kemi me mbytë skenën publike dhe kjo është thirrje, ia kam thënë edhe stafit të ministrisë që duhet me pa me një optikë shumë të pastër se si institucionet publike duhet të rikthehen në statusin që e kanë pasur si institucione të pavarura dhe jo të rikthehen në departamente të ministrisë, sepse gjithçka është super e centralizuar.”
Ajo thotë se sektori i kulturës nuk u përfshi sa duhet në pakon e rimëkëmbjes ekonomike dhe kërkon më shumë mbështetje dhe respekt për këtë sektor.