Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, mbrëmë ka qenë në Teatrin Oda për audicenën e “Vaclav Havelit”.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Kurti e përshkroi dramën që ndoqi nga afër.
“Mbrëmë isha në audiencën e Teatrit Oda, për “Audiencën e Vaclav Havelit”. Për rreth një orë, situata të shumta tragjikomike sollën në skenë, dy aktorë: Shpëtim Selmani dhe Dukagjin Podrimaj.
Teksti i Jeton Nezirajt e regjia e Agon Myftarit, ndërthuren me dramën e shkrimtarit disident, intelektualit evropian e presidentit çek, Vaclav Havel, në dhjetë vjetorin e vdekjes së tij, këtë dhjetor. Ai ishte ndër mbështetësit më të mëdhenj të lirisë së Kosovës, që në 1999 insistonte se Kosova duhet të vendosë vetë për të ardhmen e saj.
Një dramë njëaktëshe, në sallën e errët të teatrit, brenda një kornize të ndriçuar, prej rreth dhjetë metrash katrorë. Ndërtuar në zhveshtore, me lojën ndërmjet hetuesit dhe regjisorit, rreth rastit të një aktori teatri, që nuk ia del të aktrojë në skenë. Madje as dy fjalë e një nyje. Shfaqje që në aq shumë pika, nyje e harqe zhvesh realitetin përtej teatrit”, ka shkruar Kurti në Instagram.