Berisha: Bashën do ta njoftoj me një letër që e kemi shkarkuar

 

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha akuzoi policinë e shtetit se mbrëmjen e djeshme ka dhunuar disa prej protestuesve. Ai i dërgoi një paralajmërim kryeministrit Edi Rama.

“Protesta pati një jehonë të gjerë botërore. Falënderoj të gjitha mediat që e kanë përcjellë me objektivitet. Dënoj disa akte brutale të policisë, narko-policisë, e cila ka arrestuar mbrëmë njerëz të pafajshëm, i ka keqtrajtuar adoleshentët në furgona, veçanërisht narko-banditë të komisariatit nr. 2. Unë jam sot këtu për të paralajmëruar narko-policinë se revolucioni ynë paqësor nuk do të tolerojë dhunimin e të drejtave të njeriut dhe keqtrajtimin çnjerëzor të pjesëmarrësve në protesta apo lëvizjet revolucionare”.

“Mbrëmë deri në orën një të natës në qelitë e komisariateve me urdhër të Ramës janë mbajtur adoleshentë dhe burra të moshuar 84-vjeçar. Falënderoj anëtarët e komisionit të rithemelimit, të cilët kanë ndjekur në cdo orë situatën në komisariatet 1 dhe 2. Me gjithë absurditetin e ndalimit pa asnjë motiv, komisariati nr. 1 nuk i ka keqtrajtuar të ndaluarit, gjë të cilën e ka bërë narko-policë dhe banditë të komisariatit nr. 2. Paralajmërimi i fundit është të mos dhunojnë asnjë të drejtë njerëzore”, tha Berisha, shkruan abcnews.