Sot në orët e hershme të mëngjesit, saktësisht në orën 03:10, Policia Rajonale e Ferizajt gjatë patrullimit ka hasur në një lokal në rrugën “Ilir Konushevci” në Ferizaj, ku dyshohej se disa persona ishin duke zhvilluar aktivitet joligjor, duke luajtur bixhoz.
Policia ka njoftuar se njësitet reaguese, në mbështetje edhe nga hetuesit e stacionit policor të Ferizajt, kanë reaguar dhe aty kanë hasur shtatë persona duke luajtur bixhoz.
“Me këtë rast policia ka marrë veprimet e duhura hetimore, duke bërë fotografimin dhe si dëshmi materiale kanë gjetur 248 çipa që konvertohen në shuma të caktuara të parave gjatë lojës, 3 palë letra që janë përdorur për të luajtur bixhoz, të cilat edhe janë konfiskuar. Pasi janë kontrolluar personat e dyshuar, të njëjtët janë shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj”, ka njoftuar Policia.
Bëhet e ditur se pas intervistimit nga policët e Njësisë së Hetimeve, me vendim të prokurorit nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, është iniciuar rast penal “Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” për procedura të mëtejme hetimore. rtvokarina.