Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se duhet të rritet numri i grave që punojnë në sektorin e sigurisë që të ketë barazi gjinore.
Ajo, në konferencën ku u lansua “Agjenda për Barazi Gjinore në Policinë e Kosovës”, ka theksuar se gratë kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm edhe në kohën e luftës për Kosovën.
“Gratë në uniformë ishin pjesë e gjeneratave të para të Policisë së Kosovës. Ky synim ka nisur atë kohë dhe duhet të vazhdojë edhe më fuqishëm. E para tyre kishte shumë gra që me rezistenën e tyre në luftë mbrojtën atdheun e tyre, që dhanë kontribut të jashtëzakonshëm në lirinë tonë, që sot injorohet disa herë. Ato gra janë inspirim për rrugën që kemi përpara”.
“Nuk ka shoqëri në qoftë se barazia nuk i prek krejt sektorët, duke përfshirë edhe sektorët e sigurisë që janë boshti i shtetit, ne duhet t’i inkurajojmë gratë që të bëhen pjesë e këtij sektori. Duke siguruar mekanizma adekuat që të mënjanohen pabarazitë gjinore”.
“Duhet t’i shmangim stereotipet e betonuara se sektori i sigurisë është një sektor i burrave. Nuk ka sektor të burrave, ka sektor të sigurisë me burra dhe gra që krahas njëri-tjetrit kujdesën për të gjithë sigurinë e qytetarëve tanë pa dallim”.
“Shifrat e grave të punësuara në shumicën e institucioneve të sigurisë nuk janë inkurajuese, të gjithëve na mbetet shumë punë dhe duhet të rrisim përkushtimin tonë, që statistikat të pësojnë ndryshim të ndjeshëm dhe jo vetëm ne numra, por edhe në përfaqësim dhe në vendimmarrje të grave”, ka thënë Osmani.